FMN, ekonomia globale po fuqizohet

FMN, ekonomia globale po fuqizohet
Fondi Monetar Ndërkombëtar thotë se rimëkëmbja e ekonomisë  botërore është duke u fuqizuar. Ekonomisti i lartë i FMN-së Olivier Blanchard tha sot se parashikimi është që ekonomia botërore të rritet me 3,6 për qind këtë vit, nga 3 për qind që ishte vitin e kaluar. Ndërsa vitin e ardhshëm rritja pritet të jetë edhe më e madhe, në shifrën 3,9 për qind.
 
Zoti Blanchard tha se rimëkëmbja nga kriza ekonomike e vitit 2008 është jo vetëm më e fortë, por edhe me përmasa më të mëdha. Ai tha se masat e ashpra ekonomike që morën qeveritë e vendeve të ndryshme për të ulur nivelin e borxhit janë lehtësuar dhe investitorët janë më pak të shqetësuar për mundësinë e mospagimit të borxheve.  Ai tha se bankat në vende të ndryshme të botës janë duke u fuqizuar gradualisht.
 
Por krye-ekonomisti i FMN-së tha se në horizont duken edhe sfida, si mundësia e një rritje shumë të vogël ekonomike në disa vende të zhvilluara, ndërsa në disa vende me ekonomi në zhvillim, rritja mund të jetë duke u dobësuar. Po ashtu ai tha se pabarazia ekonomike mes shtresave të pasura dhe të varfëra që po thellohet, mund të përbëjë një shqetësim më të madh. 
 
Zoti Blanchard tha se mes vendeve të zhvilluara rritja ekonomike pritet të jetë më e fuqishme në Shtetet e Bashkuara, që është ekonomia më e madhe në botë dhe ku FMN-ja ka parashikuar një rritje prej 2,8 për qind këtë vit.
 
Gjermania, me ekonominë më të madhe në BE, pritet të ketë një rritje prej 1,7 për qind. Sipas FMN-së, prë here të pare në dy vjet, ekonomitë në rajonet jugore të Eurozonës mund të shënojnë rritje positive ekonomike, ndonëse të vogël.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)
Marrë nga Zëri i Amerikës

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç