Fondi Monetar Ndërkombëtar i kërkon qeverisë të shmangë ndryshimet e shpeshta të buxhetit me akte normative. Sipas Fondit, kjo dobëson besueshmërinë e buxhetit. Fondi mirëpret disa ndryshime në paketën fiskale, por kritikon uljen e TVSH-së për ushqimet dhe heqjen e taksës së qarkullimit nga karburanti.
Sipas FMN-së, këto masa ulin të ardhurat e buxhetit dhe përfitojnë prej tyre edhe familjet që nuk kanë nevojë për ndihmë. FMN-ja sugjeron ndihmë të drejtpërdrejtë për familjet në nevojë.
FMN-ja mirëpret uljen nga 10 në 5 milionë lekë të pragut të xhiros vjetore për regjistrimin në TVSH.
“Një politikë fiskale më pak ekspansioniste është e nevojshme në vitin 2027. Suficiti primar parashikohet të mbetet në rreth 0,3 për qind të PBB-së në vitin 2026, përgjithësisht i pandryshuar nga viti 2025, dhe të bjerë në zero në vitin 2027. Qëndrimi fiskal u bë ekspansionist në vitin 2025 dhe pritet të mbetet lehtësisht i tillë deri në vitin 2027. Duke pasur parasysh se ekonomia po operon mbi potencialin e saj dhe inflacioni mbetet mbi objektiv, stafi i FMN-së rekomandon që buxheti i vitit 2027 të përfshijë masa me efekt fiskal prej 0,3 për qind të PBBsë, krahasuar me politikat aktuale. Duhet të shmanget përdorimi i përsëritur i akteve normative1 për të rialokuar të ardhurat mbi parashikimin ose fondet nga mosrealizimi i shpenzimeve kapitale drejt shpenzimeve korrente të një natyre ad hoc, pasi kjo dobëson besueshmërinë e buxhetit dhe mund të përforcojë karakterin prociklik të politikës fiskale.
Paketa fiskale përmban hapa të mirëpritur për zgjerimin e bazës tatimore dhe reduktimin e trajtimeve preferenciale, por disa masa janë të patargetuara. Ulja e pragut të regjistrimit për TVSH-në, përafrimi i tatimit mbi dividendin me tatimet e tjera dhe reduktimi i trajtimit preferencial për shërbimet e akomodimit janë hapa të mirëpritur drejt një sistemi tatimor me bazë më të gjerë dhe më neutral. Këto masa duhet të mbështeten nga forcimi i kapaciteteve zbatuese për të luftuar informalitetin. Megjithatë, ulja e përhershme e normës së TVSH-së për produktet ushqimore dhe heqja e taksës së qarkullimit janë të kushtueshme nga pikëpamja fiskale, shtrembërojnë sinjalet e çmimeve dhe i sjellin përfitim edhe segmenteve të popullsisë që nuk kanë nevojë për mbështetje. Mbështetja për familjet në nevojë do të ofrohej më mirë nëpërmjet ndihmës sociale të targetuar. Ndonëse paketa pritet të jetë përgjithësisht neutrale për buxhetin, vlerësimet si të të ardhurave shtesë, ashtu edhe të kostove fiskale, janë subjekt i pasigurisë”, thotë FMN në vlerësimin për ekonominë shqiptare për vitin 2026.
Fondi mirëpret edhe ngritjen e Këshillit Fiskal dhe kërkon që ai të ketë burimet e nevojshme për të vlerësuar në mënyrë të pavarur rreziqet për buxhetin dhe respektimin e rregullave fiskale.
“Ngritja e Këshillit Fiskal është një hap i mirëpritur për rritjen e mëtejshme të besueshmërisë fiskale. Këshillit duhet t’i sigurohen kapacitetet e nevojshme për të ofruar vlerësime të pavarura të rreziqeve fiskale dhe të respektimit të rregullave fiskale, si dhe për të vlerësuar çdo ndryshim në kuadrin e përgjithshëm”, theksohet në vlerësim.
Lajmi kryesor:
FMN mbyll misionin për këtë vit: Protestat dhe emigracioni, rrezik për ekonominë! Pavarësisht goditjeve nga luftërat, Shqipëria ka ruajtur një performancë të fortë makroekonomike










