Vendimi është marrë nga Bordi Ekzekutiv i FMN-së, gjatë mbledhjes të zhvilluar ditën e djeshme në Washington. Burime zyrtare bëjnë të ditur se gjatë takimit nuk ka qenë i pranishëm asnjë zyrtar shqiptar.
Në bazë të këtij vendimi, FMN-ja do të lëvrojë menjëherë nga kjo hua për Qeverinë shqiptare, shumën prej 26.4 milionë euro. Ndërkaq, në këtë kuadër priten fonde të tjera nga Banka Botërore dhe Bashkimi Europian. Në njoftimin për shtyp të FMN-së, thuhet se edhe “Banka Botërore së bashku me Bashkimin Evropian, ka shumë të ngjarë të japin ndihmën e tyre për programin e reformave të autoriteteve shqiptare”.
Pas diskutimeve në Bordin Ekzekutiv të FMN për Shqipërinë, Zv/drejtori Administrativ David Lipton, tha se “Perspektiva ekonomike e Shqipërisë pritet të përmirësohet në vitin 2014, nxitur nga reduktimi i planifikuar i rreziqeve në fushën fiskale, shlyerja e borxheve, trajtimi i kredive me probleme, si dhe me nisjen e reformave strukturore. Megjithatë rreziqet janë domethënëse dhe nevojat për financim janë të mëdha. Shqipëria ka nevojë për mbështetje financiare për të stimuluar përmirësimin e gjendjes fiskale dhe për të mbajtur borxhin në nivele të qëndrueshme”.
PERSPEKTIVA
Pritet që me trajtimin e kredive me probleme (NPL), shlyerjen e borxheve dhe organizim në vjeljen e të ardhura, ekonomia e Shqipëria të mëkëmbet. Por nevoja për mbështetje financiare është ende e madhe për vendin. Kjo ka qenë deklarata e Zv.drejtorit Administrativ, David Lipton, për ecurinë e ekonomisë shqiptare “Perspektiva ekonomike e Shqipërisë pritet të përmirësohet në vitin 2014, e nxitur nga reduktimi i planifikuar i rreziqeve në fushën fiskale, shlyerja e borxheve, trajtimi i kredive me probleme, si dhe me nisjen e reformave strukturore.
Megjithatë rreziqet janë domethënëse dhe nevojat për financim janë të mëdha. Shqipëria ka nevojë për mbështetje financiare për të stimuluar përmirësimin e gjendjes fiskale dhe për të mbajtur borxhin në nivele të qëndrueshme”, - tha zyrtari i FMN-së, Lipton.
BORXHI
FMN-ja e ka bërë të qartë, se për uljen e borxhit nën nivelin e 60% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), nevojiten masa afatmesme domethënëse në politikën fiskale. “Borxhi i lartë publik i Shqipërisë krijon nevoja për konsolidimin fiskal, që ka për qëllim uljen e raportit të borxhit publik nën 60% të PBB-së në terma afatmesëm. Kjo do të kërkojë masa domethënëse sa i përket politikës së taksave dhe shpenzimeve, të mbështetura nga reforma financiare dhe tatimore. E nevojshme është ulja e borxhit dhe vënia në zbatimin e mekanizmave që ruajnë nivele të qëndrueshme”, - zv.drejtori Lipton gjatë deklaratës për shtyp, në lidhje me huanë, FMN-ja i akordoi qeverisë shqiptare.
Më tej, Lipton vë theksin tek nevoja e zbatimit të politikave të lehtësimit monetar për të mundësuar rimëkëmbjen ekonomike, ndërsa u ndal edhe tek përmirësimi i sektorit bankar.
"Lehtësimi i mëtejshëm i politikës monetare, qoftë në nivel të moderuar, mund të ndihmojë në mbështetje të rimëkëmbjes ekonomike, ndërkohë që pritshmërinë për inflacionin dhe stabilitetin financiar mbeten të qëndrueshme. Por duhet treguar kujdes ndaj rreziqeve që vijnë nga ekspozimi i madh ndaj valutave të huaja. Ruajtja e stabilitetit financiar duke promovuar edhe qasje një kredie, është e nevojshme për të mundësuar një rimëkëmbje të qëndrueshme. Ulja e kredive me probleme do të ruajë stabilitetin financiar. Zbatimi i palëkundur i rekomandimeve të fundit të Programit për Vlerësimin e Sektorit Financiar, duke përfshirë ato që lidhen me uljen e rreziqeve në sektorin financiar jobankar, është padyshim i rëndësishëm”, tha Lipton.
"Planet e autoriteteve për të reformuar pensionet, energjetikën, financat e pushtetit vendor, administratën publike, dhe mjedisin e biznesit janë të mirëpritura. Nëse zbatohen siç duhet, këto reforma do të forcojnë kapacitetet e Shqipërisë për të tërhequr investime, për të përmirësuar perspektivat për rritje të qëndrueshme afatmesme, si dhe për të zvogëluar rreziqet fiskale”, tha Lipton.
Redaksia Online
(e.s/shqitarja.com)