TIRANË – Ministria e Financave, misioni i FMN-së në Shqipëri dhe Banka e Shqipërisë kanë raportuar sonte gjendjen ekonomike të vendit dhe premisat e rritjes dhe zhvillimit.

Sipas vlerësimit të FMN-së," programi ekonomik i Shqipërisë po ecën sipas planit dhe ka nisur një rritje e ngadaltë me 2%"

CANI: RRITJA EKONOMIKE PREMTUESE ESHTE NE NIVELIN 2.1%

Ministri Cani e hapi konferencën duke falenderuar "për arritjen e mirëkuptimit mes Qeverisë dhe FMN në përpjekjet për garantimin stabilitetit ekonomik të vendit.Ai tha se "viti 2013 ka qenë një vit i vështirë në disa drejtime si nga rritja e ulët ekonomike në çdo pritshmëri; patëm probleme të mëdha dhe me besimin e konsumatorit dhe biznesit. Patëm rënie të kërkesës së brendshme dhe një sërë faktorësh të tjerë që e bënë 2013 një vit të vëshirë. 

Për të përmirësuar situatën për këtë periudhë dhe vitin tjetër, mbetet prioritet shlyerja e detyrimeve të prapambentuura ndaj biznesit. Deri tani kemi shlyer një pjesë të tyre. 

Vetëm nga Tatimet dhe Doganat kemi tejkalim të të ardhurave të tyre prej rreth 12 %. Vazhdon mbështjetja administrative nga “Crown Agents”, dhe presim rezultate të mira në vijim. Po kështu është dorëzuar në Qeveri, Kodi Doganor dhe pritet të kalojë më pas në parlament për miratim.

Është përfunduar tashmë nga ministria e Financave dhe projektligji i ri i TVSH që për çështje ditësh do të marrë rrugën në Qeveri për të vijuar më pas në Kuvend. Edhe ky ligj është në përputhje me direktivat e BE. Janë propozuar një sërë hapash për të ulur kostot tatimore për tatimpaguesit. Janë marrë masa për të shmangur vonesat në pagesat për rimbursimin e TVSH.

Kemi shenja të mira nga eksportet, që janë rritur gjatë kësaj kohe. Përmirësim ka edhe tek importet. Këta tregues mbështesin atë që është projektuar bashkë me FMN-në. Kjo nuk është vetëm ç’ka mendon Ministria e Financave dhe e Ekonomisë, por është konkluzion edhe nga partnerët tanë e në rastin konkret nga FMN-ja. Rritja ekonomike premtuese është në nivelin 2.1 %.

Realizimi i këtyre objektivave që ne kemi është një çështje që na bën krenarë, por kjo nuk do të thotë se nuk duhet të jemi modestë pasi se kemi shumë rrugë për të bërë. Janë 2-3 fusha që kërkojnë vëmendje të veçantë. 

Ne kemi vendoshmërinë për përmirësim dhe kemi mirëkuptimin e plotë me FMN-në dhe institucionet e tjera ndërkombëtare. 

Të gjitha palët në këto bisedime kanë shprehur vullnetin dhe dëshirën për të patur rezultate sa më të mira në rritje të qëndrueshme të ekonomisë dhe në funksion të krijimit të vendeve të reja të punës dhe rritjes së standardeve të mirëqenies së shqiptarëve

FMN, NADEEM ILAHI: PROGRAMI JUAJ EKONOMIK PO ECEN SIPAS PLANIT

Përfaqësuesi i FMN-së Nadeem Ilahi tha në fjalën e tij: "Sipas vlerësimit të FMN, programi ekonomik i Shqipërisë po ecën sipas planit. Kemi bërë një vlerësim të reformave strukturore që do të plotësoheshin në pjesën e parë të programit. Sipas versionit tonë, kriteret e vendosura për t’u arritur përsa i takon anës strukturore dhe performancës janë përmbushur plotësisht. Përsa i takon aspektit të rritjes ekonomike, në 2013 shkalla e rritjes ekonomike ka qenë e ngadaltë, për këtë vit parashikohet të rritet në 2 %. Presim që kjo të arrihet përmes një rimëkëmbjeje modestes të kërkesë së brendshme dhe rritjes së eksporteve.

Aktiviteti ekonomik vazhdon të jetë i dobët, përkundër arritjes së rrritjes ekonomike në 2 % duek qenë nën potencialin e vet. Inflacioni vazhdon të mbetet i ulët. Ecuria fiskale në kuadër të programit ka qenë sipas planit të parashikuar në program për 2014.

Shlyerja e detyrimeve të prapambetura ndaj biznesit do të vazhdojë me këto ritme. Autoritetet biseduan edhe për buxhetin e Qeverisë për 2015. Këto do i diskutojmë në gusht-shtator të këtij viti. Autoritetet kanë konfirmuar se do bëjnë përpjekje për të përmbushur objektivat afatmesëm, përfshi ato që kanë të bëjnë me borxhet.

Pritshmëritë për inflacionin pritet që të arrihen , dhe politika monetare duhet të vazhdojë të mbështesë rimëkëmbjen ekonomike. Ky aktivitet duhet të jenë në përputhje me urat e stabilitetit ekonomik. Rritja e kreditimit vazhdon të mbetet negative dhe kjo ka lidhje me probleme të vazhduara.
 
Redaksia online
(es/arsh/Shqiptarja.com)