Shqipëria ka shënuar një ritmë rritjeje të ekonomisë së saj në masën 3.9 për qind gjatë vitit të kaluar. Është ky vlerësimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili ka prezantuar dje në Uashington raportin e Pasqyrës Ekonomike Globale. Sipas këtij raporti, mbetet e pandryshuar pritshmëria për rritjen ekonomike të Shqipërisë në vitin 2018, në 3.7%. Edhe më parë, raportin e tetorit të vitit të kaluar, FMN e kishte ulur pritshmërinë për performancën e Shqipërisë me 0.2 pikë përqindje në 3.7%, shifër që mbahet kështu e pandryshuar edhe në rishikimin e prillit. Ndërkohë FMN ka rritur vlerësimin për rritjen e vendit në 2017-n, nga 3.7% në 3.9%, në krahasim me raportin e tetorit, në linjë dhe me të dhënat e fundit të INSTAT-it, që vlerësoi se ekonomia vendase u zgjerua me 3.84% në vitin 2017.
Sipas FMN, në periudhë afatmesme, rritja mendohet të përshpejtohet lehtë, duke arritur në 3.8% në 2019-n dhe do të vazhdojë të arrijë në 4% deri në vitin 2023. Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Kosovës, që pritet të zgjerohet me 4%, Shqipëria do të ketë normën më të lartë të rritjes. Më pas renditen Bosnjë dhe Hercegovina me 3.2%, Maqedonia me 3%, Mali i Zi me 2.4%, Serbia me 3.5%.
Sa u përket parametrave të tjerë makroekonomikë, inflacioni pritet të përshpejtohet këtë vit, në 2.8%, nga 1.9% në vitin 2017, duke iu afruar objektivit të shënjestruar të Bankës së Shqipërisë prej 3%. Kurse deficiti i llogarisë korente pritet të ngushtohet në 6.7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga 7.2% në 2017-n, duke mbetur gjithsesi më i larti në Europën në Zhvillim, me përjashtim të Malit të Zi.
Ekonomia globale
FMN vlerëson në raportin e saj se në vitin 2017 investimet globale dhe tregtia vazhduan të mbajnë peshën e rritjes. Niveli 3.8 për qind i rritjes ekonomike globale në 2017 ishte më i shpejti që nga viti 2011. Me kushtet financiare favorizuese, rritja globale pritet që të prekë 3.9 për qind, si në vitin 2018, ashtu edhe në 2019. Ekonomitë e avancuara do të rriten më shpejt se potenciali i këtij viti, ekonomitë e zonës euro pritet që të tkurrin zgjerimin e kapacitetit e ndikuar nga politika monetare akomoduese dhe politika fiskale zgjeruese do të çojë ekonominë e Shteteve të Bashkuara mbi punësimin e plotë.