FMN s’përfill shifrat e INSTAT
PBB e Shqipërisë raportohet 1.3%

TIRANE - Fondi Monetar Ndërkombëtar u mbahet shifrave të llogaritura prej tij lidhur me Prodhimin e Brendshëm Bruto të Shqipërisë, duke dhënë rezultate të ndryshme nga ato që pohon INSTAT-i. Sipas Institutit shqiptar të Statistikave, PBB-ja ka qendruar në nivel pozitiv gjatë 12 muajve të vitit të kaluar, në nivelin 1.6 për qind.

Kjo shifër është dhënë në njoftimin më të fundit të këtij instituti, lidhur me ndryshimin e PBB-së në tremujorin e katërt të vitit 2012, ku është paraqitur edhe vlerësimi për gjithë vitin. Këtij rezultati i është referuar deri tani edhe Banka e Shqipërisë.

Ndryshe nga kjo shifër, dje, në Vrojtimin Ekonomik Botëror të publikuar nga FMN-ja në Uashington, niveli i Prodhimit të Brendshëm të Shqipërisë jepet 1.3 dhe jo 1.6%.

Institucioni financiar ndërkombëtar gjithashtu rezervon një parashikim minimal edhe për vitin në vazhdim, kur, sipas FMN-së nuk duhet të presim në Shqipëri një rritje ekonomike më të lartë se 1.8 për qind. Vetëm gjatë 2014-ës mund të shpresohet për një rritje në masën 2.5 për qind, gjithnjë larg mesatares shumëvjeçare që ka qenë 6 për qind.

KORRIGJIMET

Pak ditë më parë, INSTAT habuti publikun edhe me një rregullim të shifrave të papunësisë, që më parë e kishte raportuar 13.32%, ndërkohë që raporton aktualisht në nivelin 12.8 për qind. Shifra nuk korrespondon me asnjë shifër të institucioneve të tjera që kanë raportuar për këtë fenomen.

Ministri i Punës Spiro Ksera ka deklaruar një nivel 13.1%, kurse guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, gjatë raportimit të tij në Kuvend për punën e institucionit në vitin 2012, deklaroi: “Rritja e punësimit në ekonomi ka ardhur duke u ngadalësuar, ndonëse norma e papunësisë ka mbetur në nivelin 13.3% prej më shumë se një viti”.

ZHVILLIMET

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka rishikuar në ulje parashikimin për rritjen ekonomike globale dhe u bëri thirrje politikëbërësve të Europës që të përdorin politika monetare agresive, teksa viti i dytë i tkurrjes po e lë Europën mbrapa pjesës tjetër të botës.

Ekonomia globale do të zgjerohet 3.3% këtë vit, një shifër më e ulët se parashikimi prej 3.5% në janar, pas një rritjeje prej 3.2% në 2012-n, raporton Fondi, duke ulur parashikimin për këtë vit për të katërtën herë radhazi.

“Sfida kryesore është Europa”, tha kryeekonomisti i FMN-së në një deklaratë të publikuar me daljen e Raportit Ekonomik Botëror. Edhe parashikimi për SHBA u reduktua në 1.9%, nga 2% në janar.

FMN dhe Instat rritje e PBB për vitin 2012

(Në foto dokumentat e
FMN dhe Instat për rritje e PBB të shqipërisë për vitin 2012)

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 17.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Po tentonin të kalonin me gomone nga Franca në Angli, mbyten tre emigrantë

Po tentonin të kalonin me gomone nga Franca në Angli, mbyten tre emigrantë