Inflacioni do të vijë në rritje, Prodhimi i Brendshëm Bruto do të jetë më i ulët se sa parashikimi, ndërkohë që bilanci i llogarisë korrente do të mbetet gjithnjë në terren negativ, por më i zbutur. Janë këto parashikimet kryesore për periudhën 2017-2019, që zbulohen në raportin e ekonomisë botërore të Fondit Monetar Ndërkombëtar, të publikuar dje në Uashington.

Rritja
Ajo që bën më shumë përshtypje është fakti se ekspertët e FMN, nisur edhe nga situata që panë vetë në Tiranë gjatë misionit të tyre të fundit, të sapopërfunduar, kanë lënë në fuqi parashikimin e rritjes ekonomike për këtë vit, në 3.7 për qind, ndërkohë që kanë ulur mjaft parashikimin për këtë tregues gjatë vitit të ardhëm. Në panoramën më të fundit, të nxjerrë në prill të këtij viti, FMN kishte llogaritur një rritje në masën 4.1 për qind gjatë vitit të ardhshëm, por gjashtë muaj më pas ka ndryshuar mendim, duke vlerësuar në ulje, në nivelin sërish të 3.7 përqindëve. Më parë është dhënë prognoza për një rritje në masën 4.1%.

Kjo shifër e fundit, sipas FMN, mund të arrihet vetëm në vitin 2019.
Kjo prognozë bie në kundërshtim me deklaratat e fundit të qeverisë shqiptare, sipas drejtuesve kryesorë të së cilës që këtë vit pritet një rritje në masën 4 për qind, për të kaluar më pas deri në 5 për qind. Në fakt, misioni i FMN në përfundim të vizitës së fundit në Tiranë njofti se pritet një ngadalësim i ritmeve të ekonomisë shqiptare, si pasojë e afrimit të fundit të realizimit të objekteve të mëdha investuese, të tilla si gazsjellësi Transadriatik apo hidrocentrali i Moglicës, të cilët kanë filluar disa vite më parë. Me sa duket, ende në horizont nuk po duken investime masive të këtij lloji, që do të përcaktonin edhe rritje më të ndjeshme të ekonomisë.

Inflacioni
Sa i përket rritjes së çmimeve, pozitiv është fakti që FMN parashikon gjithnjë një iflacion brenda parametrave të paraëlqyer nga Banka qendrore. Kështu, ndërkohë që këtë vit mendohet që niveli i inflacionit të jetë në 2.2 për qind, vitin e ardhshëm ai do të jetë paksa më i lartë: 2.3 për qind, për të kaluar në vitin 2019 në 3 për qind. Gjithsesi, për ekonominë shqiptare kufijtë optimal të këtij parametri janë nga 2 deri në 4 për qind dhe shifrat e ulta deri tani kanë përbërë më shumë një burim shqetësimi, duke treguar aftësi të ulta të konsumit të brendshëm, që çojnë edhe në çmime të ulta, por dobësojnë edhe përpjekjet e prodhuesve për të shtuar prodhimin përballë kësaj situate.

Llogaria
Treguesi tjetër i rëndësishëm, që tregon hyrje-daljet e parasë, mallrave dhe shërbimeve të Shqipërisë me jashtë, bilanci i llogarive korrente, sipas raportit të FMN, mbetet gjithnjë në terren negativ. Ai do të jetë -9.2 për qind këtë vit, për t’u zbutur në 8.2 për qind vitin e ardhshëm dhe më tej në 6.2 për qind më 2019. Me sa duket, këtu është marrë parasysh rritja e të ardhurave nga turizmi, shoqëruar me një rritje më të ulët nga eksportet.    

Ekonomia globale
Panorama Ekonomike Globale tregon një përmirësim të përgjithshëm, ndërkohë, në ekonominë globale për këtë vit dhe ata pauses, me ngjyra më rozë se parashikimet e muajit prill. “Rritja globale, e cila në vitin 2016 ishte më e dobëta që nga koha e krizës financiare globale 3.2 për qind, është parashikuar të rritet në 3.6 për qind në 2017 dhe në 3.7 për qind në 2018. Parashikimet e rritjes për 2017 dhe 2018 janë 0.1 pikë përqindje më të larta krahasuar me parashikimin e bërë në muajin prill”.

dokumenta fmn

 

Redaksia Shqiptarja.com