TIRANE- Pas kontakteve të para në nivel politik, ku u përfshi edhe takimi me kreun e opozitës, Lulzim Basha, delegacioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar kë nisur pjesën më të rëndësishme të misionit në Tiranë. Sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Financave, tashmë ekspertët e FMN janë fokusuar në nivel teknik, mbi zbatueshmërinë e ligjshmërisë dhe sidomos të strategjisë së shlyerjes së detyrimeve të prapambetura, për të cilat është kërkuar dhe marrë kredia prej 330 milionë eurosh nga ky institucion financiar. Delegacioni i FMN do të qëndrojë në Tiranë deri më 13 maj, ndërsa në fund të vizitës pritet edhe një deklaratë publike për vlerësimin e situatës ekonomiko-financiare të kësaj periudhe fillimviti.

Takimi i parë u zhvillua me ministrin e Financave, Shkëlqim Cani ku është diskutuar në lidhje me gjendjen e financave publike dhe ecurinë e zbatimit të buxhetit të vitit 2014. Ndërsa me guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, diskutimet e delegacionit të FMN-së janë përqëndruar mbi stabilitetin financiar, si dhe masat që ka marrë dhe duhet të marrë Banka e Shqipërisë. Një çështje e cila është diskutuar gjerësisht në këto takime është edhe niveli i borxhit publik këtej e tutje dhe masat që duhet të marrë qeveria Rama për trajtimin dhe për uljen e tij, ku rruga më frutdhënëse është përmirësimi i efektivitetit të administratës fiskale.

Lidhur me ecurinë e të ardhurave për tre muajt e parë të vitit, financat kanë raportuar se Tatimet e Doganat kanë arritur të tejkalojnë planin me 1.2 miliardë lekë, ndërsa të ardhurat u rritën me 6.2% në raport me janar-marsin 2013.
Ministria e Financave po ashtu ka informuar se deri tani kompanive që kanë kryer punë publike por që nuk u paguan iu janë kthyer rreth 200 milionë dollarë, ndërsa mbeten për tu shlyer, sipas parashikimit edhe 150 milionë dollarë. Ndër të tjera misioni është informuar mbi nivelin e te ardhurave të realizuara deri tani, nivelin e borxhit publik, ndryshimet fiskale dhe hapat për reformat që Fondi ka kërkuar. Burimet bëjnë me dije se FMN do të vjë një Shqipëri çdo tre muaj për të parë zbatimin e reformave dhe ecurinë makroekonomike.

Ekipi i FMN-së, i kryesuar nga Nadeem Ilahi, ka mbledhur opinionet e të gjitha palëve në funksion të hartimit të një raporti mbi gjendjen e ekonomisë dhe plotësimin e kushteve nga qeveria. Në bazë të vlerësimit që do t’i bëhet raportit nga Bordi Ekzekutiv i FMN në Uashington, do të vendoset nga ky i fundit edhe për lëvrimin e këstit të dytë të kredisë me vlerë 26 milionë euro, që pritet të jepet në fillim të qershorit.
Marrëveshja trevjeçare Shqipëri–FMN do të monitorohet një herë në tre muaj nga ekspertiza e Fondit, ndërsa më pas, dy herë në vit. Marrëveshja që parashikon një sërë masash në fushën e taksave dhe reformat strukturore, hyri në fuqi në muajin shkurt pas miratimit nga Bordi i Drejtorëve në Uashington dhe parashikon disbursimin e 330 milionë eurove kredi me kushte të buta në tre vjet.

Shkrimi u publikua sot 4 maj 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com)