Qindra automjete luksoze prodhime të viteve 2015-2020 u janë nënshtruar kontrolleve nga Tirana, Durrësi, Korça, Vlora, Elbasani, Berati e Fieri përgjatë 48 orëve. Nga këto automjete ,37 janë bllokuar dhe janë shoqëruar 134 persona. Në kryeqytet janë vendosur 6 pika kryesore kontrolli që prej mbrëmjes së djeshme vijojnë aksionin deri në një afat të papërcaktuar sipas urdhrit të lëshuar nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu për “makinat e luksit”.

Burime për ReportTv bënë me dije se të dhënat e marra nga këto mjete si dhe përdoruesit e tyre do t'i nënshtrohen më pas operacionit "Forca e Ligjit" për të justifikuar blerjet me vlera nga 40-250 mijë euro për automjet.

Leja e qarkullimit, akti i pronësisë, numri i shasisë dhe modifikimet janë disa nga kontrollet që forcat e policisë kryejnë për çdo automjet. Këtij kontrolli i shtohet edhe një kontroll i imtësishëm në brendësi të automjetit. Në rast të konstatimit të mangësive në dokumentacion, automjeti bllokohet, ndërsa të dhënat për rastet e dyshuara i kalojnë Operacionit "Forca e Ligjit". 

Ky aksion i ndërmarrë nga Policia e Shtetit vjen në një kohë kur OFL në javën e parë të punës ka lëshuar formularë auto-deklarimi dhe ka sekuestruar pasuritë e disa prej personave të skeduar apo të dënuar më parë për vepra të rënda penale.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:01
FNSH vijon kontrollet në hyrje të Shkodrës ndaj makinave luksoze (VIDEO)

Policia e Shkodrës vijon kontrollet ndaj mjeteve luksoze. Forcat e FNSH dhe Forcat e rendit janë vendosur në hyrje të Shkodrës duke kontrolluar mjete pa dokumentacionin përkatës dhe kontrolle ndaj personave të shpallur në kërkim që lëvizin në Shkodër. Ende nuk ka të dhëna mbi rezultatet e deritanishme, rezultate të cilat pritet të bëhen publike në orët në vijim.

Ora 14:25
Makina superluksoze ndalohet nga policia në Kukës (VIDEO)

Një makinë luksoze, tip Hummer është ndaluar në Kukës gjatë kontrolleve të policisë të zhvilluara ditën e sotme. Automjetet luksoze kanë qenë nën lupën e policisë dhe Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë përgjatë kontrolleve të ushtruara në ditët e fundit.

Ora 12:52
Kontrolle në Fier, 10 makina luksoze të sekuestruara në 4 ditët e fundit (VIDEO)

Në qendër të kontrolleve kanë qenë edhe makinat e shtrenjta dhe ato me targa të huaja në qytetin e Fierit. Burime pranë policisë bëjnë me dije se përgjatë katër ditëve të fundit janë sekuestruar për verifikime 10 automjete luksoze.

Ora 12:48
Elbasan- Automjetet kalojnë në 'sitën' e policisë, 300 makina të kontrolluara brenda 72 orëve (VIDEO)

Vijojnë kontrollet edhe në qytetin e Elbasanit për persona të shpallur në kërkim, armë apo drogë. Prezencë të madhe të forcave të policisë ka pasur në Peqin, rrethrrotullimin pranë postës, tek Ura e Shkumbinit. Në qendër të kontrolleve kanë qenë makinat e shtrenjta dhe ato me targa të huaja. Në kuadrin e 72 orëve në qarkun e Elbasanit janë kontrolluar 300 automjete.

Ora 12:04
Postbllok policie tek rrethrrotullimi i TEG-ut, kontroll të gjitha makinave luksoze (VIDEO)

Postblloqe policie janë vënë edhe tek rrethrrotullimi i TEG-ut në Tiranë. Efektivë të policisë rrugore, të komisariateve dhe të sektorit të trafiqeve në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, kanë kryer kontrolle ndaj automjeteve luksoze. Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta në një panoramë të situatës së postbllokut TEG tha se në rast të konstatimit të mangësive me dokumentacionin e automjetit, apo gjetjes së sendeve të paligjshme, makina sekuestrohet direkt, ndërsa të dhënat i kalojnë Operacionit Forca e Ligjit, ngritur në kuadër të aktit normativ Anti-KÇK për të vënë në "filtër" pasuritë e personave të hetuar apo dënuar për krime të rënda. 

Gjatë kontrollit efektivët e policisë kontrollojnë lejen e qarkullimit, pronësinë, siguracionin, por edhe ndërhyrjet që mund të ketë pasur ky mjet në numrin e shasisë, apo edhe në të dhënat e tjera që e bëjnë atë të identifikueshëm, kur ka mbërritur në territorin shqiptar dhe është apo jo i vjedhur. Në rast të konstatimit të faktit që automjeti mund të jetë i vjedhur, në bashkëpunim me Europol, do të kryhen të gjitha procedurat që automjeti t'i kthehet pronarit të ligjshëm në shtetet ku është vjedhur. 

Ishte një urdhër i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, për të nisur kontrollet në mbarë vendin për të kontrolluar një database, se kush e ka në pronësi automjetin, dhe nëse ka apo jo ndërhyrje në shasi.

Ora 11:56
Kontrolle të shumta në Korçë, në 'sitë' makinat luksoze dhe ato me targa të huaja (VIDEO)

Që prej mëngjesit të djeshëm po vijojnë kontrollet e imtësishme në qarkun e Korçës. Forca të shumta policie janë vendosur në 6 bashkitë e qarkut Korçë duke ushtruar kontrolle, mbi persona të dyshuar, automjete luksoze si dhe automjete me targa të huaja.

Ora 11:31
Kontrolle të shumta në Krujë, Kurbin dhe Shkodër, policia dhe FNSH 'skanojnë' makinat luksoze (VIDEO)

Policia dhe FNSH kanë vijuar kontrollet edhe në akset kombëtare në rrethin e Krujës. Gazetari Julian Shota raporton se objektiv janë makinat luksoze të cilat i nënshtrohen kontrolleve për dokumentacion, armë apo sende të kundraligjshme. Kontrolle të imtësishme ka pasur edhe në Kurbin dhe Shkodër.

Ora 10:21
FNSH aksion në Vlorë, tre automjete të sekuestruara (VIDEO)

Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë ushtruar kontrolle të imtësishme në qytetin e Vlorës. Gjatë aksionit i cili ka vazhduar prej mbrëmjes së djeshme janë sekuestruar tre makina të cilat janë dërguar në Komisariatin e Vlorës për verifikim.