ATHINË, 7 janar /ATSH-ANA-MPA/ - Me fjalinë "nuk është hera e parë që zgjedhjet parlamentare në Greqi shqetësojnë evropianët", fillon një artikull i revistës ekonomike britanike "The Economist", që ka në qendër zhvillimet politike në Greqi.
"Zgjedhjet e parakohshme të 25 janarit, kanë rigjallëruar frikën se Greqia mund të lerë eurozonën, një rezultat që u evitua në vitin 2012 dhe që do të mund të kishte pasoja katastrofike si për Greqinë dhe për eurozonën", sipas revistës.
Gazeta gjermane "Die Welt", në një opinion të sajin, nënvizon që nëse vërtet Greqia largohet nga eurozona, kjo do të jetë "pasojë e gabimeve në ndihmën për zhvillim, që janë pranuar prej kohësh".
Gazeta bën një retrospektivë në përvojën e zbatimit të programeve zhvillimore pas luftës apo gjatë viteve 1980, për të konkluduar në Greqi.
"Ndoshta grekët i rezistojnë tundimit që në zgjedhjet e 25 janarit të bëjnë kryeministër një njeri që u premton se mund të prishë kushtet e kredisë, pa rrezikuar vetë paratë e kredive. Mundet që Aleksis Cipras, përkundër asaj që pritet, të bëhet më korrekt pas fitimit të zgjedhjeve. Mundet, me fjalë të tjera, gjithçka të shkojë mirë sërish. Mirëpo, herët apo vonë, në Athinë do të ketë një qeveri, e cila nuk do t'i respektojë më detyrimet ndaj kreditorëve dhe do të shkaktojë kështu një Grexit. Çdo gjç tjetër, në bazë të parametrave historikë, do të përbënte surprizë", shkruan "Die Welt".
Sipas gazetës amerikane "The Wall Street Journal", "Berlini dhe Parisi i bëjnë presion Greqisë që të marrë përsipër detyrimet, duke e paralajmëruar se vihet në rrezik qëndrimi i vendit në eurozonë".
Siç vihet në dukje, "në kuadër të zgjedhjeve përballë mundësisë së fitores së partisë radikale SYRIZA, presidenti francez, François Hollande, tha se shtohen mundësitë për një dalje të Greqisë nga eurozona. Nga ana e vet, ministri gjerman i Ekonomisë, Zigmar Gabriel, ka paralajmëruar se Berlini nuk ka për të pranuar asnjë shantazh për të ofruar lehtësime për borxhin grek apo madje edhe ndryshim të kushteve të programit ndërkombëtar të shpëtimit", thekson "WSJ"-ja./ a.jor.












