Në vazhdën e kërkesave të Lëvizjes FOL për një qeveri të pastër nga korrupsioni dhe krimi i organizuar FOL i kërkon Bukoshit dorëheqjen nga ky post.
"Kryeministri i Qeverisë së Kosovës do të duhej të jap përgjegjësi për rastet e tilla dhe për nivelin e lartë të korrupsionit që ka përfshirë të gjitha nivelet e Qeverisë së Kosovës” thanë antarët e FOL në një konferencë të mbajtur sot.
Koordinatori i projekteve, Armend Pajaziti, prezantoi rezultatet e raportit Monitoruesi i Prokurimit Publik 2011.
Ai tha se “ministritë kanë bërë shkelje të shumta ligjore në gjithsej tridhjetë(30) tenderë të ndryshëm. Ministria e Drejtësisë ka bërë shkelje ligjore në 5 tenderë, Ministria e Administratës Publike, Ministria e Infrastrukturës dhe Ministria e Kulturës në katër (4) tenderë, Ministria e Forcës së Sigurisë dhe ajo e Bujqësisë në 3 tenderë, si dhe Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Zhvillimit Ekonomik në 2 tenderë. Ndërkaq, ministritë me shkelje ligjore vetëm në një tender janë Ministria e Financave, ajo e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Diasporës”.
Ndërmarrjet publike kanë bërë shkelje të shumta ligjore në nëntë (9) aktivitete të ndryshme prokurimi. Korporata Energjetike e Kosovës ka bërë shkelje në gjashtë (6) tenderë, ndërkaq Postë-Telekomi i Kosovës ka bërë shkelje ligjore në tre (3) aktivitete të ndryshme prokurimi. Komunat gjatë vitit 2011 kanë bërë shkelje të shumta ligjore në gjithsej 37 aktivitete prokurimi. Komunat më me shumë shkelje janë Komuna e Lipjanit dhe ajo e Suharekës, me nga katër (4) tenderë. Pastaj vijnë komuna e Prishtinës, e Gjilanit, e Rahovecit dhe ajo e Vitisë me nga tre (3) tenderë.
Ndërkaq, me nga dy (2) tenderë janë Komuna e Graçanicës, e Podujevës, e Shtërpcës dhe ajo e Kamenicës. Dhe me nga një (1) tender të vetëm janë Komuna e Pejës, e Ferizajt, e Prizrenit, e Kaçanikut, e Istogut, e Kllokotit, e Fushë Kosovës, e Mitrovicës dhe ajo e Klinës.
/rg/shqiptarja.com/
