Vlera e fondeve shtesë në Buxhet për të dy vendimet shkon në shumën e 222.500 Eurove.
Qeveria në mbledhjen e sotme ka miratuar shtesën për pagesën e gjashtë dhe të fundit të shërbimeve juridike për përfaqësimin dhe mbrojtjen në çështjen e arbitrazhit ndërkombëtar.
Vendimi i Këshillit të Ministrave është marrë duke aprovuar shtimin e fondit me 122.500 Euro për të përballuar pagesat e tarifave avokatore të përfaqësimit.
Po ditën e sotme qeveria ka miratuar për të përballuar pagesat e tarifave avokatore të përfaqësimit në arbitrazhit ndërkombëtar për të njëjtën çështje. Fondi i miratuar për vendimin e dytë është 100.000 Euro.
Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave fondet do t’i shtohen Ministrisë së Drejtësisë, në buxhetin e miratuar për vitin 2014 për të përballuar pagesat e tarifave avokatore të përfaqësimit (kësti i gjashtë dhe i fundit) për çështjen e arbitrazhit ndërkombëtar nr.ARB/11/24 “Mamidoil Jetoil Greek Petroleum Societe Anonyme S.A. kundër Republikës së Shqipërisë”, që zhvillohet në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimit (ICSID).
Ky fond, i konvertuar në lekë me kursin e këmbimit të Bankës së Shqipërisë në datën kur do të kryhet pagesa, i transferohet Ministrisë së Drejtësisë për të bërë pagesën. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.
Vendimi i plotë për fondin shtesë në Buxhet për të përballuar pagesat e tarifave avokatore
VENDIM PËR NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2014, MIRATUAR PËR MINISTRINË E DREJTËSISË, PËR PAGESËN E KËSTIT TË GJASHTË DHE TË FUNDIT TË SHËRBIMEVE JURIDIKE PËR PËRFAQËSIMIN DHE MBROJTJEN NË ÇËSHTJEN E ARBITRAZHIT NDËRKOMBËTAR NR. ARB/11/24, “MAMIDOIL JETOIL GREEK PETROLEUM SOCIETE ANONYME S.A. KUNDËR REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.185/2013, “Për buxhetin e vitit 2014”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
1. Ministrisë së Drejtësisë, në buxhetin e miratuar për vitin 2014, t’i shtohet fondi 122 500 (njëqind e njëzet e dy mijë e pesëqind) euro, për të përballuar pagesat e tarifave avokatore të përfaqësimit (kësti i gjashtë dhe i fundit) për çështjen e arbitrazhit ndërkombëtar nr.ARB/11/24 “Mamidoil Jetoil Greek Petroleum Societe Anonyme S.A. kundër Republikës së Shqipërisë”, që zhvillohet në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimit (ICSID).
2. Ky fond, i konvertuar në lekë me kursin e këmbimit të Bankës së Shqipërisë në datën kur do të kryhet pagesa, i transferohet Ministrisë së Drejtësisë për të bërë pagesën.
3. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.
4. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
Vendimi i plotë për fondin shtesë në Buxhet për të përballuar shpenzimet administrative të arbitrazhit
VENDIM PËR NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2014, MIRATUAR PËR MINISTRINË E DREJTËSISË, PËR PAGESËN E PJESËS SË MBETUR TË SHPENZIMEVE ADMINISTRATIVE TË ARBITRAZHIT NDËRKOMBËTAR PËR ÇËSHTJEN NR. ARB/11/24, “MAMIDOIL JETOIL GREEK PETROLEUM SOCIETE ANONYME S.A. KUNDËR REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.185/2013, “Për buxhetin e vitit 2014”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
1. Ministrisë së Drejtësisë, në buxhetin e miratuar për vitin 2014, t’i shtohet fondi 100 000 (njëqind mijë) USD, për të përballuar pjesën e mbetur të shpenzimeve administrative të arbitrazhit ndërkombëtar për çështjen nr. ARB/11/24, “Mamidoil Jetoil Greek Petroleum Societe Anonyme S.A. kundër Republikës së Shqipërisë”, që zhvillohet në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimit (ICSID).
2. Ky fond, i konvertuar në lekë me kursin e këmbimit të Bankës së Shqipërisë në datën kur do të kryhet pagesa, i transferohet Ministrisë së Drejtësisë për të bërë pagesën.
3. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.
4. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)