Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka kërkuar interpelancë me ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla lidhur me masat e marra për zhbllokimin e fondeve IPARD.

Kërkesa e Blushit për interpelancë lidhet me bllokimin e fondeve të IPARD, konkretisht 112 milion euro në vit, për fermerët nga Bashkimi Evropian, fonde këto të projektuara për mbështetjen e vendeve kandidate.

“I nderuar Zoti Kryetar i Kuvendit,

Bazuar në nenin 80, pika 1 të Kushtetutës dhe në nenin 96 të Rregullores së Kuvendit, paraqes kërkesën për interpelancë me Ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Z. Andi Salla lidhur me masat e marra për zhbllokimin e fondeve IPARD, që për të tretin vit radhazi rrezikohet t’u mohohen fermerëve shqiptarë.

Fondet IPARD janë një instrument financiar i Bashkimit Europian, i projektuar për të mbështetur zhvillimin rural dhe për të përgatitur vendet kandidate për administrimin korrekt të fondeve strukturore të BE-së. Ato nuk janë fonde diskrecionale të Qeverisë, por fonde me rregulla strikte, me standarde të larta transparence, kontrolli dhe llogaridhënieje.

Kërkesa për interpelancë buron nga një shqetësim serioz lidhur me dështimin e mekanizmave të menaxhimit dhe kontrollit të fondeve IPARD nga ana e Ministrisë së Bujqësisë, dështim i cili ka prodhuar pasoja konkrete financiare për fermerët shqiptarë (112 milion euro ndihmë të bllokuara në vit), si dhe pasoja administrative dhe reputacionale për shtetin shqiptar.

Të dhëna publike, raporte auditimi dhe zhvillime të njohura së fundmi flasin për parregullsi serioze në fazën e përzgjedhjes, kontraktimit dhe verifikimit të projekteve IPARD, për projekte fiktive, konflikte interesi, mungesë verifikimi në terren dhe dobësi të theksuara në sistemin e kontrollit të brendshëm administrativ.

Dua ta theksoj qartë, se përgjegjësia politike për ndërtimin, funksionimin dhe mbikëqyrjen e sistemit i takon Ministrisë së Bujqësisë. Në çdo standard europian të qeverisjes, dështimi i sistemit është përgjegjësi e drejtuesit politik.

Keqmenaxhimi i fondeve IPARD nuk është një çështje proceduriale. Ai ka pasoja të drejtpërdrejta:

-           Përjashtimin e fermerëve nga skemat e mbështetjes (112 milion euro ndihma në vit),

-           Deformimin e konkurrencës në sektorin bujqësor,

-           Rrezikimin e besueshmërisë së Shqipërisë ndaj institucioneve të Bashkimit Europian,

-           Dhe rrezikun real të pezullimit ose kufizimit të fondeve edhe për vitin e ardhshëm.

Në këtë kuadër, kërkoj përgjigje të sakta dhe të dokumentuara për çështjet e mëposhtme:

-           Cili ka qenë modeli i menaxhimit dhe kontrollit të fondeve IPARD i zbatuar nga Ministria e Bujqësisë dhe kush mban përgjegjësi për devijimet nga manualet dhe udhëzimet e BE-së?

-           Sa projekte janë kontrolluar përmes verifikimeve në terren para dhe pas disbursimit të fondeve, dhe cilat kanë qenë gjetjet kryesore?

-           Cilat janë shkeljet administrative ose financiare të konstatuara nga auditimet e brendshme apo të jashtme, dhe cilat masa disiplinore janë marrë?

-           Cili është impakti financiar i parregullsive të konstatuara dhe a ka pasur kërkesa për kthim fondesh nga ana e Bashkimit Europian dhe në çfarë vlere financiare?

-           Çfarë masash strukturore ka ndërmarrë ministria për të garantuar se skemat e ardhshme IPARD do të jenë në përputhje të plotë me acquis të BE-së?

Ministria e Bujqësisë ka detyrimin të sqarojë publikisht:

-           se ku ka dështuar sistemi,

-           kush ka mbajtur përgjegjësi administrative,

-           dhe çfarë reformash konkrete janë ndërmarrë.

Kjo interpelancë është ushtrim i kontrollit parlamentar dhe mbrojtje e interesit publik.

Transparenca dhe llogaridhënia nuk janë opsionale, por detyrim kushtetues.

Mbetem në pritje të caktimit të datës së zhvillimit të interpelancës, në përputhje me afatet e përcaktuara në Kushtetutë dhe Rregulloren e Kuvendit”, thuhet në kërkesë.

Për shkak të parregullsive dhe abuzimeve të konstatuara, Komisioni Evropian vendosi në korrik 2023 të ndërpresë mbështetjen për Shqipërinë, duke bërë që IPARD III të mos hapet. Ndërkohë është mbyllur lëvrimi i fondeve për fermerët përfitues nga IPARD II që i takon periudhës 2014-2022 ishte 94 milionë euro në total.

Ndërkohë mungesa e IPARD, po mbulohet me fonde nga buxheti i shtetit, përmes Skemës së Investimeve e lancuar vjet që do të vijojë edhe këtë vit, skemës kombëtare me subvencione për bujqësi e blegtori si dhe programi i kredive të buta që pritet të jepen nga bankat pas miratimit të programit nga Banka e Shqipërisë.