/ATSH/.- Presidenti i Republikës, Bujar Nishani vlerësoi sot Fondin Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve me "Dekoratën e Flamurit Kombëtar" me motivacionin: "Për ndihmesën e jashtëzakonshme e të sprovuar ndaj popullit e demokracisë shqiptare, duke kontribuar veçanërisht në forcimin e institucioneve, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, konsolidimin e shoqërisë demokratike në vendin tonë, si dhe mundësimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë në zonën "Shengen".
Gjithashtu, në motivacion Presidenti e vlerëson Fondin dhe 'për rritjen e imazhit të vendit tonë në botë; zgjerimin dhe thellimin e marrëdhënieve të gjithanëshme e strategjike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe farkëtimin e lidhjeve historike e miqësore mes popullit shqiptar dhe atij amerikan".
Presidenti i Republikës vlerësoi gjithashtu edhe personalitete të njohura, anëtarë të bordit drejtues të Fondit, Dianne Blane, Cafo Boga, Douglas Carlston, James Duffy, me Titullin "Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut" me motivacionin: "Në vlerësim të veprimtarisë së pareshtur e punës së palodhur për zhvillimin ekonomik të vendit tonë, si dhe kontributin e vyer dhënë për konsolidimin e institucioneve demokratike dhe rritjen e imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë".
Me Titullin "Për Merita të Veçanta Civile" me motivacionin: "Në vlerësim të kontributit të tij të rëndësishëm dhe punës së vyer për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të sektorit privat në vendin tonë, si dhe për drejtimin vizionar shumëvjeçar të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit"Kreu i Shtetit dekoroi përfaqësuesit dhe drejtuesit shqiptarë të Fondit, Aleksandër Sarapuli dhe Martin Mata.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Presidenti e cilësoi Fondin Shqiptaro-Amerikan të Ndermarrjeve 'dallëndyshen e parë' në hapësirën e tregut dhe të shoqërisë së lirë shqiptare, se ai përfaqëson simbolin e një realiteti të cilin shqiptarët e kishin ëndërruar, por nuk e kishin pasur kurrë: atë të ekonomisë së lirë.
"Në një periudhë prej 20 vitesh, kapitali fillestar prej 30 milion dollarësh ka gjeneruar një vlerë rreth 300 milionë dollarë, duke u bërë kështu ndoshta më i suksesshmi ndër fondet simotra në vendet e tjera. Fondi ka investuar në një gamë të gjerë biznesesh në më shumë se 40 shoqëri, duke krijuar mbi 7.000 vende pune dhe duke kontribuar në Prodhimin e Brendshëm Bruto të Shqipërisë me mbi 2 miliardë dollarë. Investimet e Fondit kanë tërhequr investime të huaja direkte në masën 300 milion dollarë", theksoi Nishani.
Presidenti përmendi investimet e suksesshme strategjike në sektorin bankar, në Bankën Amerikane të Shqipërisë, në sektorin e transportit përmes investimit në Aeroportin "Nënë Tereza", në fushën e sigurimeve përmes investimit në Kompaninë SIGAL, apo dhe në vitet e fundit në Qendrën Tregtare "Tirana East Gate", duke i konsideruar ato si "modele biznesi të suksesshme, njerëzore dhe transparente."