Ambasadori i BE në Shqipëri, Silvio Gonzato, pjesëmarrës në eventin “fondi Social 2026 – Garanci për Qëndrueshmërinë e Shërbimeve për Mirëqenien e Qytetarëve”, theksoi rëndësinë e investimit në mirëqenien sociale, të minimizimin e varfërisë dhe të cenueshmërisë në shoqëri.

Gonzato tha se mirëqenia sociale është një ndër kriteret kryesore për anëtarësimin në BE, ndërsa foli për nevojën e harmonizimin e legjislacionit shqiptar me atë evropian lidhur me përkujdesjen sociale.

"Mirëqenia sociale është vetë forca e një kombi. BE-ja ka një traditë të gjatë dhe jemi krenarë për investimin në kapitalin njerëzor. Fondi Social Evropian është po aq i vjetër sa vetë BE-ja dhe unë kam punuar për të. Ai është i përqendruar tek ata që janë më shumë në rrezik për t’u përjashtuar nga shoqëria.

Strategjia Kombëtare për Mbrojtjen Sociale në Shqipëri ka për qëllim të trajtojë varfërinë dhe cenueshmërinë. Fondi Social i Shqipërisë, që ka 7 vite që funksionon, ka financuar më shumë se 70 projekte dhe shërbime. Mbështetja e BE-së për mbrojtjen sociale në Shqipëri është nga më të lartat në Ballkanin Perëndimor. Po investojmë më shumë se 100 milionë euro përmes projekteve të BE-së për gjithëpërfshirjen dhe punësimin social. Këto plotësohen edhe nga Plani i Rritjes i BE-së, nga i cili Shqipëria ka marrë 100 milionë euro për të mbështetur zhvillimin e kapitalit njerëzor.

Kemi mbështetur 41 bashki për të krijuar planet e tyre vendore sociale, me qëllim që të hartojnë reagimet e duhura për nevojat që kanë analizuar.

Duhet të ketë një harmonizim të legjislacionit shqiptar me atë të BE-së. Duhet të ketë një rishikim të ligjit për përkujdesjen sociale për të parë se çfarë funksionon dhe çfarë jo. Shqipëria mund të frymëzohet nga debatet që zhvillohen në BE. Duhet të përqendrohemi tek zbatimi: harmonizimi i legjislacionit me atë të BE-së është i rëndësishëm, por nuk mjafton pa zbatim. Duhet të ketë zbatim efektiv, që kërkon buxhet, burime të duhura njerëzore dhe sisteme të forta të përkujdesjes", tha Gonzato.


Lajmi kryesor:

Fondi Social 2026/ Rama: Tashmë shërbimet sociale dhe në nivel vendor, përkujdesja për 65 mijë individë është domethënëse për Shqipërinë