TIRANË- Një operacion i madh antidrogë po zhvillohet në Tiranë dhe zona të tjera, i nisur mbrëmjen e sotme me urdhër të SPAK. Burime për Report Tv dhe Shqiptarja.com bëjnë me dije se agjentët po ushtrojnë kontrolle në rezidencën e VIPA-ave Kodra e Diellit, si edhe në Qerekë, për të goditur një grup të struktruar kriminal në trafikun e drogës. Mësohet se në Qerekë të Niklës është zbuluar edhe një laborator droge i ngritur në një banesë private.
Disa agjenci ligjzbatuese marrin pjesë në aksion, teksa kontrollet i drejton Operacionalja në Policinë e Shtetit. Në krye të operacionit mësohet se qëndrojnë SPAK dhe autoritetet ligjzbatuese nga Spanja, për llogari të të cilëve po kryhet ky aksion. Mësohet se po ekzekutohen disa urdhër arreste të lëshuara me vendim të GJKKO.
Report Tv solli edhe pamjet kur policia mësyn në rezidencën e VIP-ave Kodra e Diellit, ndërsa për kontrolle janë përdorur edhe qen antidrogë.
Ende nuk ka një reagim zyrtar mbi operacionin i cili është ende në zhvillim, por burimet i thanë Report Tv se bëhet fjalë për disa të arrestuar dhe shënjestër është goditja e trafikut ndërkombëtar të kokainës.
Këto janë momentet kur Policia e Shtetit mësyn drejt fshatit Qerekë, në Njësinë Nikël të Fushë-Krujës.
Më herët uniformat blu e kishin nisur operacionin e drejtuar nga SPAK dhe autoritetet spanjolle në zonën e “Kodrës së Diellit” në Tiranë.
Por më tej grupi i dytë është drejtuar drejt bazës së dyshuar në zonën e Niklës. Me sirena dhe forca të shtuara, efektivët e Policisë dhe Operacionales po zhvillojnë kontrolle, sekuestrime dhe arrestime. Informacionet janë të rezervuara, edhe për shkak të sekretit hetimor dhe aksionit në proces dhe sipër.
Policia e Shtetit, SPAK dhe autoritetet spanjolle po zhvillojnë një operacion me shkallë të gjerë antidrogë në Tiranë. Deri tani raportohet për ndërhyrje dhe kontrolle në zonën e “Kodrës së Diellit” dhe në fshatin Qerekë të Fushë-Krujës.
Report Tv sjell pamjet e ndërhyrjes së policisë me mjete në zonën luksoze të “Kodrës së Diellit”, mbrëmjen e sotme. Një prej mjeteve ka qenë edhe ai që transporton qentë antidrogë për kontrolle fizike, me qëllim zbulimin e lëndëve narkotike. Gjithashtu edhe një grup ekspertësh me mjetet e tyre.
Fillimisht makinat e patrullës dhe më tej ato operacionale që përdoren për numër të lartë të arrestuarish, tip furgon.