Një kontroll i befasishëm i Forcave Operacionale në Burgun e Peqinit, zbuloi disa sende të palejuara në qeli.
Nga kontrollet e imtësishme në qeli me dektektorë specialë, dronë dhe qenë anti-drogë, burime për Report Tv, thonë se janë sende të improvizuara prerëse, kabuj, materiale të tjera të palejuara dhe qarqe të modifikuara elektrike, të cilat dyshohet se përdoren për komunikim.
Nuk dihet saktësisht se cilët janë të dënuarit që i kishin sendet e ndaluara në qeli. Në një rast u evidentua një sasi lënde narkotike.
Report Tv, sjell pamjet e njësisë operacionale pas kontrolleve në burgun e Peqinit. Rreth 20 furgonë të drejtorisë së burgjeve dalin nga territori i burgut te Peqinit autokolone.
"Në drejtimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve Adriatik Kupi dhe Drejtorit të Policisë së Burgjeve, Drejtues i Lartë Paulin Rajta, u zhvillua një kontroll i gjerë për sende të ndaluara. Kontrolli u ushtrua nga forcat operacionale dhe speciale të DPB, të mbështetura nga forcat e sigurisë së IEVP-ve Fier, Vlorë, Korçë, Berat, Rrogozhinë, Elbasan, Jordan Misja, Shkodër, Burrel, Fushë-Krujë dhe Durrës.
Gjatë operacionit u përdorën mjete të avancuara si detektorë specialë, dronë monitorimi, qen anti-drogë dhe skanerë. Kontrolli përfshiu të gjitha ambientet: sektorët e banimit, godinat e takimeve dhe të punës, bibliotekën, palestrën, ambientet e observimit, regjimin “41-bis”, ambientet e ajrimit, godinat përreth dhe brezin e butë të sigurisë", njoftoi Drejtoria e Burgjeve.
Në këtë operacion Fran Marashi dhe Paulin Buja, dy të dënuar përjetë, të cilët paraqisnin rrezik për sigurinë, u transferuan në burgje të tjera. Marashi është i dënuar me burg përjetë për vrasjen e 4 punonjësve të policisë, në atë që njihet ndryshe edhe si masakra e Urës Vajgurore ngjarje e ndodhur gjatë trazirave të vitit 1997.
Komente











