Komiteti i Bashkërendimit të Luftës Kundër Pastrimit të Parave, i mbledhur të mërkurën nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama, mori në shqyrtim raportimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPPP) mbi efikasitetin e sistemit parandalues dhe zbatimit të legjislacionit penal kundër pastrimit të parave në vend.

Zyra e shtypit e Kryeministrit, bëri të ditur sot,  se pas analizës së kryer dhe diskutimeve, Komiteti i Bashkërendimit të Luftës Kundër Pastrimit të Parave adresoi domosdoshmërinë e përfshirjes së Autoriteteve Mbikëqyrëse, nëpërmjet kontrollit ndaj subjekteve raportuese dhe raportimeve të drejtpërdrejta në DPPPP-së për dyshime që hasen në fushën e veprimtarisë së tyre.

Në këtë mbledhje u vlerësua gjithashtu dhe domosdoshmëria e rritjes së bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar në shkëmbim informacioni.
Duke marrë në konsideratë zhvillimet e fundit, u theksua intensifikimi i masave kundër financimit të terrorizmit. Në këtë mbledhje u miratua dhe Rregullorja "Për funksionimin e Komitetit të Bashkërendimit të Luftës Kundër Pastrimit të Parave". 

ATSH