Forcimi i lekut 'faktor kyç' në uljen e inflacionit edhe për këtë vit! BSH: Rënia e valutave shkaku i tretë për uljen e eksporteve

Forcimi i lekut përballë valutave e kryesisht ndaj euros dhe dollarit pritet të ketë rol të rëndësishëm në reduktimin e inflacionit edhe për këtë vit, i cili pritet të zbresë në 3% brenda 2024-ës.

Banka e Shqipërisë gjykon se kursi aktual i këmbimit ku euro po këmbehet afër 104 lekë dhe dollari pranë 96 lekë do të vazhdojë në këto nivele përgjatë gjithë vitit, e që do të ketë ndikim pozitiv në ulje të mëtejshme të inflacionit.

Po ashtu në raportin e Politikës Monetare thuhet se pritshmëritë për ulje të inflacionit mbështeten tek reduktimi i kërkesës për mallra dhe balancimi i tregut të punës.

“Inflacioni pritet të vijojë të bjerë gjatë vitit 2024, duke pasqyruar pritjet për një ecuri më të balancuar midis kërkesës dhe ofertës në ekonomi, balancë e cila do të mundësojë një kontroll më të mirë mbi kostot e prodhimit dhe marzhet e fitimit. Paralelisht me të, rënia graduale e inflacionit në partnerët tanë tregtarë dhe ecuria e qëndrueshme e kursit të këmbimit pritet të reduktojnë më tej presionet e huaja inflacioniste”, thuhet në raportin e Bankës së Shqipërisë.

Forcimi i lekut bën të mundur, që mallrat e importit të mos kushtojnë shumë në tregjet e vendit, për shkak se konvertimi i valutave në lekë ka qenë mbi 10% më i ulët vjet se në 2022.

Por nga ana tjetër, kursi i këmbimit është shkaku i tretë kryesor sipas Bankës së Shqipërisë që ka ndikuar në rënien e eksporteve.

“Rënia e eksportit të mallrave gjatë vitit 2023 u diktua nga një kombinim negativ faktorësh: ecurisë jo të mirë ekonomike të partnerit tonë kryesor tregtar, rënies së çmimeve të lëndëve të para në tregjet ndërkombëtare, si dhe forcimit të kursit të këmbimit, i cili redukton më tej të ardhurat e eksportuesve të pambrojtur nga rreziku i kursit të këmbimit”, thuhet në raport.

Eksportet e mallrave përgjatë vitit 2023 u ulën me 9.5% dhe arritën në vlerën 440 miliardë lekë, po ashtu me 8.2% u ul edhe vlera e importeve, pasi bizneset vendase kanë blerë jashtë vendit produkte me vlerë 873 miliardë lekë.

 

M.Q./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 19/02/2024 03:05

    Jane ne vete keta te Bankes?! Forcimi i lekut pozitiv per uljen e inflacionit?! Po eshte forcim artificial leku ore pyka qe beni O.K cdo gje vetem te mos humbnin kolltuqet e te dridhni zinxhirin gjithe diten! Forcimi i lekut eshte pozitiv e ul inflacionin kur eshte i vertete,kur behet nga nje industri te lehte dhe e rende e bujqesi qe prodhojne,shesin e fitojne,jo sipermmarje ne nivel punishte e manifakture qe kemi ne,apo fshatare e blektore me teknologji te vjeter e rudimentare e ne prag falimentimi;behet kur ke te hapura uzinat e fabrikat e medha e je prodhues teknologjie,kur nuk ke emigrim masiv e papunesi ne mase,kur konsumatori,sidomos klasa e mesme jane ne gjendje te perballojne cmimet e te mbyllin muajin pa sforcime te medha./Forcimi/i lekut tani behet fale parave qe kalojne kufirin te fshehura ne kroskotet e tavanet e makinave e autobuzeve,apo ne fundet e dyfishta te valixheve e skutave te kamioneve,per te mos folur per parate e droges e prostitucionit qe lahen e shpelahen pallateve e bizneseve te tjera te krimit.Realisht ne sot jemi si ne 96-97'kur te gjithe jetonim ne /parajsen e fajdeve/. Dhe tani jemi ne (parajsen e superlekut)dhe nje dite kemi per t'a pesuar si U.S ne krizen e madhe te 29'-es, Wall Street Crash!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Dronë misteriozë shihen mbi tri baza amerikane në Britani

Dronë misteriozë shihen mbi tri baza amerikane në Britani