Analisti Ilir Yzeiri i cilësoi protestat që po mban PD çdo të hënë para kryeministrisë si "klithma" dëshpërimi të Sali Berishës, mbështetja ndaj të cilit po tkurret gjithmonë edhe më shumë. Në një intervistë për "Sot Live në Shqipëri", ai theksoi se Berisha me "çetën" e tij po shuan frymën opozitare.

"Ata nuk janë protesta, por klithma të dëshpëruara të një njeriu që ka mbetur me fare pak mbështetës dhe artikulon gjëra të paqena. Edhe sikur të ketë ndonjë të vërtetë në atë që thotë, fakti që i artikulon ai. Një parti politike është parti kryesore e opozitës por jo opozita. Ka mbetur e tillë që nuk është alternativë më. Kështu që historia e PD është e trishtë, që tani në fund nuk i  bën nder opozitarizmit në Shqipëri se Berisha me çetën e vet po punon për të shuar frymën opozitare. Frymë e cila u ndez në mënyrë të ndrojtur nga Salianji", tha analisti.

Duke komentuar takimin e Salianjit në Durrës, analisti theksoi se tregoi se fryma opozitare ekziston ende në Shqipëri. Sipas tij, kjo tregon se njerëzit nuk ndihen të përfaqësuar me Berishën. Po ashtu, analisti thotë se nëse Salianji tregohet i vendosur dhe mban takime më të gjera, do t'i mbushë sheshet plot.

"Lëvizja e Salianjit provoi që fryma opozitare në Shqipëri është më e madhe se përfaqësimi i saj politik. Që domethënë se opozitarët e vërtetë në Shqipëri nuk ndihen të përfaqësuar me Berishën. Ata si frymë janë gati të bashkohen me cilindo që është në gjendje të zgjojë këtë frymë dhe të flasë e artikulojë problemet e PD drejt, duke parë me vështrimin nga brenda dhe jo jashtë. Narrativa e sharjes, e fyerjes, që e paraqit Shqipërinë si gogolin e krimit s'i afron opozitarët. Duan një njeri që tu flasë se si të orgamnizohen, duke korrigjuar gabimet që janë bërë. Njeriu që po shkatërron PD është Berisha. Nuk ka nevojë për të qenë lider i madh, mund ta bëjë cilido siç është Salianji. Sot PD, me lëvizjen e Salianjit, tregon se nuk është shuar si frymë. Jam i sigurt se Salianji edhe dy tre të tjerë, dyshoj te Alimehmeti se përpiqet të ruajë të dyja krahet, Salianji është më i vendosur. Nëse Salianji nesër do të provojë një takim më të gjerë akoma, do t'i ketë sheshet plot. Njerëzit shkojnë se është çdokush që i zgjon ata dhe me të cilët identifikohen, jo për Salianjin. Këtë frymë mund t'i japë jetë cilido në PD, mjafton të ketë pak guxim.", tha analisti.

Në zgjedhjet e ardhshme, tha Yzeiri, nëse Berisha vazhdon kështu, do të tkurret edhe më shumë në mbështetje dhe rrezikon që të copëtohet. Sipas tij, nëse partia do të jetë e aftë që të gjejë një udhëheqës tjetër, atëherë do të ketë mundësi që të thithë frymën opozitare në vend. I pyetur për zgjedhjet që pritet të mbahen vitin që vjen për kreun e PD-së, analisti u shpreh se nëse Berisha do të vazhdojë që të mbajë "peng" partinë, atëherë të tjerët duhet që të shkëputen dhe të krijojnë një formacion tjetër dhe të tentojnë të bashkohen me partitë e tjera opozitare.

"Nëse Berisha do të këmbëngulë që ta mbajë PD-në, do të shihet nëse të tjerët do të shkëputen nga Berisha të krijojnë një formacion tjetër dhe të tërheqin partitë e tjera politike. Atë shikoj si të vetmen zgjidhje.", shtoi ai.

Yzeiri nuk përjashtoi edhe mundësinë që Salianji të krijojë një formacion të ri politik, teksa tha se brend PD-së s'ka mundësi, duke përmendur edhe artikullimin e Berishës ndaj atyre që dalin nga "rreshti" që i cilëson si armiq. 

"Salianji në një formacion të ri politik? Patjetër, se aty brenda nuk ka. Berisha i tha që ata janë armiq, që nuk përfaqësojnë PD për takimin e tyre në Durrës. Ky është shkaku që po hezitojnë dhe se s’e dimë akoma se çfarë plani ka ky grup. Kjo që për ta zgjuar PD dhe për t'i dhënë apo ndezur shpirtin opozitar nuk mjafton. Salianji artikuloi ndryshe, bëri një takim pa Berishën. Ai zgjoi interesin më të madh sesa Berisha në mes të Tiranës. Salianji janë ata që mund ta zgjojë frymën opozitare dhe opozitarët kanë nevojë të mblidhen por pa Berishën."