CALIFORNI - Mëngjesin e kësaj të shtune në orën 03:00 me kohën shqiptare, në 'SoFi Stadium' të Inglewoodit do të luhet sfida mes SHBA-së dhe Paraguait, e vlefshme për Grupin D të Kupës së Botës 2026.
Debutimi i SHBA-së, një prej tre vendeve organizatore të eventit të këtij viti, pritet me interes për vetë faktin se tifozët kanë kuriozitetin për të parë ekipin që ka formuar një emër i njohur i trajningut si Mauricio Pochettino.
Në gjithë historinë e përballjeve mes tyre, SHBA-ja dhe Paraguai janë takuar nëntë herë. Pesë herë ka fituar SHBA-ja, dy ndeshje kanë folur për skuadrën nga Amerika Latine, ndërsa dy sfida të tjera janë mbyllur në barazim. Ndeshja e sotme do të jetë e dyta mes tyre në një Kupë Bote, pasi e para daton 96 vite më parë, më 17 korrikun e vitit 1930 për Botërorin e parë të zhvilluar. Atëherë SHBA-ja fitonte 3-0.
Pochettino i SHBA-së e ka ndërtuar ekipin rreth një brezi talentesh që luajnë në Evropë, duke filluar me Pulisic të Milanit. Në anën tjetër është Paraguai i Gustavo Alfaros, i cili rikthehet në Kupën e Botës për herë të parë që nga viti 2010 pas një mungese 16-vjeçare. 'La Albirroja' siguruan vendin e tyre në Amerikën e Veriut me një mbrojtje të fortë, pasi ata pranuan vetëm 10 gola në 18 ndeshje kualifikuese të Conmebol, një rekord që flet shumë për filozofinë e Alfaros.
Në prag të këtij dueli, në stadium u zhvillua edhe ceremonia e hapjes së Botërorit në tokën e SHBA-së, pasi të enjten dhe të premten u zhvilluan dy ceremoni të tjera, në Meksikë dhe Kanada. Presidenti amerikan, Donald Trump nuk do të jetë i pranishëm në stadium për ndeshjen hapëse kundër Paraguait.
Formacionet zyrtare:
SHBA (4-2-3-1): Freese; Richards, Robinson, Ream, Freeman; Adams, Tillman; Dest, McKennie, Pulisic; Balogun Trajner: Mauricio Pochettino
Paraguai (4-4-2): Gill; Alderete, Caceres, Alonso, G. Gomez; D. Gomez, Almiron, Cubas, Bobadilla; Sanabria, Enciso Trajner: Gustavo Alfaro
Ceremonia e fundit hapëse nga tre të tillat në Kupën e Botës, u mbajt në 'SoFi Stadium' përpara ndeshjes mes SHBA-së dhe Paraguait në Los Angeles. Në të performuan ylli i popit Katy Perry, ylli global i K-pop-it LISA, artistja nigeriane e Afrobeats, Rema, artistja braziliane e pop-it Anitta dhe artisti i hip-hop-it, Future.
Muzikë, ngjyra, koreografi dhe një atmosferë që solli shumë ritme nga vende të ndryshme u panë në fushën e stadiumit pak para nisjes së ndeshjes. Megjjithatë shkallët e stadiumit nuk ishin të mbushura për këtë ceremoni, paçka se biletat janë të shitura.
Pas ceremonisë hapëse në Meksikë dhe Kanada, edhe SHBA-ja kishte radhën e saj.
Stadium half empty for opening ceremonies ? pic.twitter.com/IqvddrQfkp
— Casey Settleman (@csett13) June 12, 2026

Presidenti i SHBA-së nuk do të jetë i pranishëm në ndeshjen hapëse kundër Paraguait.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, zhvilloi një telefonatë me ekipin kombëtar të futbollit të SHBA-ve vetëm pak orë para ndeshjes së parë në Kupën e Botës kundër Paraguait.
Videoja përkatëse u publikua nga Federata Amerikane e Futbollit në rrjetet sociale, duke dokumentuar mesazhin mbështetës të presidentit amerikan drejtuar trajnerit të kombëtares, Mauricio Pochettino dhe lojtarëve.
Telefonata e shkurtër u zhvillua të premten me orën shqiptare, ku Donald Trump iu drejtua personalisht Mauricio Pochettinos, duke shprehur vlerësimin për punën e tij dhe potencialin e ekipit.
“Po ju telefonoj vetëm për t’ju thënë se jeni një njeri fantastik, një trajner i madh”, u shpreh presidenti i SHBA-ve.
Ai gjithashtu shprehu bindjen se kombëtarja ka talentin e nevojshëm për të bërë një rrugëtim të suksesshëm në turne.
“Ju keni shanse reale për të arritur deri në fund”, theksoi ai, duke nënvizuar se vlerëson shumë cilësinë e skuadrës.
Trump i uroi gjithashtu suksese ekipit para fillimit të ndeshjeve në turne dhe tha se synon ta ndjekë kompeticionin në tërësi. Megjithatë, sipas informacioneve të publikuara, ai nuk do të jetë i pranishëm në ndeshjen hapëse të SHBA-ve në Los Anxhelos kundër Paraguait.
Rikthimi i Kupës së Botës në SHBA
Ky turne shënon rikthimin e Kupës së Botës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për herë të parë që nga viti 1994. Këtë herë kompeticioni zhvillohet me 48 skuadra dhe organizohet bashkërisht nga SHBA, Kanadaja dhe Meksika.
Pavarësisht rritjes së madhe të futbollit në vend vitet e fundit, kombëtarja e meshkujve e SHBA-ve nuk ka arritur historikisht të ketë suksese të mëdha në Kupën e Botës.
Ndërkohë, kombëtarja e femrave është një nga ekipet më të suksesshme në historinë e sportit, me katër tituj botërorë të fituar.
Last night, we received a message of support from POTUS ahead of our World Cup journey. pic.twitter.com/MVPITGldtS
— U.S. Soccer Men's National Team (@USMNT) June 12, 2026
Komente




