FT/ Portugali 3 - 2 Ganë (Ronaldo 65', Joao Felix 78', Leao 80'/ Ayew 73', Bukari 89')
Portugalia fitoi 3-2 me Ganën në ndeshjen e parë për këto skuadra në grupin H të Botërorit 2022. Ndeshja në Doha prodhoi pesë gola, teksa ka qenë e luftuar në pjesën e dytë. Të gjithë golat u shënuan në 45 minutat e dyta, teksa për luzitanët shënoi edhe Ronaldo, që vendos rekord duke u bërë futbollisti i parë që shënon në pesë kampionate Botërore radhazi (2006, 2010, 2014, 2018, 2022).
Ndeshja nisi me golin e Ronaldos në minutën e 65 nga penalltia. Më pas Ayew barazoi ndeshjen në të 73 minutë, para se Joao Felix dhe Leao të shënonin dy gola për portugezët në minutët 78 dhe 80. Në fundin e ndeshjes, në të 89 minutë Bukari shënoi për 3-2 duke e bërë fundin dramatik. Në fund Portugalia ia del të marrë tri pikë në ndeshjen e parë të Botërorit, duke marrë kreun e grupit H me tri pikë. Uruguaji dhe Koreja e Jugut kanë nga një pikë, teksa Gana me zero pikë në fundin e grupit.
Renditja:
Portugalia fitoi 3-2 me Ganën në Botërorin e Katarit. Golin e parë për luzitanët e shënoi Ronaldo, me sulmuesin që po bën xhiron e medieve me festën e tij. Në një moment në pankartat e tifozëve në stadium shfaqet Messi, me Ronaldon që është fotografuar pikërisht në vendin dhe momentin e duhur. Duket se në stadium kishte edhe tifozë argjentinas.
Portugalia fitoi 3-2 me Ganën në Kupën e Botës. Në "Stadiumin 974" në Doha tifozët patën vonesa për t'u futur në stadium, me gazetarin e Sun Sport që tregon se pas vendeve bosh në impiant qëndron kaosi dhe më pas përplasja me policinë.
Gazetari Martin Lipton nga SunSport ishte brenda stadiumit dhe tha: "Nëse po pyesni veten për të gjitha vendet bosh, një tifoz sapo mbërriti me vonesë dhe mezi po merrte frymë. Më tha se është 'kaos' jashtë, ka shumë tifozë që janë vonuar dhe nuk mund të futen. Policët përpiqen të mbajnë rendin, por ka pasur konflikte. Trafiku ishte shumë i keq gjatë rrugës për këtu. Kështu që kjo nuk është vërtet një surprizë e bukur. Është turp", tha gazetari.
Portugali 3-2 Ganë. Gana ka shënuar golin e dytë me Bukari në minutën e 89 të ndeshjes. Sulmuesi shënon dhe feston si Ronaldo. Një minutë më herët Santos zëvendësoi CR7.
Portugali 3-1 Ganë. Portugalia ka shënuar dy gola të shpejtë me Joao Felix në minutën e 78 dhe Leao në minutën e 80, duke marrë avantazhin. Sulmuesi i Milan duket se ka vendosur tri pikët për Portugalinë.
Portugali 1-1 Ganë. Pas golit të Ronaldos, skuadra e Ganës ka barazuar me kapitenin Ayew në minutën e 73.
Portugali 1-0 Ganë. Cristiano Ronaldo kalon në avantazh Portugalinë në minutën e 65. Sulmuesi luzitan ka kthyer në gol një penallti që e ka fituar vetë.
Portugalia dhe Gana po luajnë në Kupën e Botës për grupin H. Gjatë ekzekutimit të himnit të Portugalisë, Ronaldo është përlotur. Shpresat e një kombi janë të varura te sulmuesi që për momentin ka mbetur pa ekip. 37 vjeçari ka emocionuar dhe fëmijët që shoqërojnë futbollistët.