FT/ Shqipëri 4-2 Jordani ( Abualnadi (aut) 40', Broja 65', Hoxha 75', N. Bajrami 79' / Al Rashdan 27', Olwan 90')
Fitorja e tre ditëve më parë në Serbi duket se ka karikuar futbollistët e Kombëtares. Shqipëria ia doli të mposhtte 4-2 Jordaninë në miqësoren e kësaj të marte të zhvilluar në stadiumin 'Air Albania' në Tiranë. Me afro 9 mijë e 300 tifozë në stadium, kuqezinjtë kanë bërë një figurë të mirë, paçka surprizës dhe golit të shënuar nga Jordania.
Cake dhe Gripshi debutuan me kuqezinjtë, ndërsa Hysaj me 94 ndeshje vendosi rekord për numrin e paraqitjeve me Kombëtaren. Ndërkohë që Hoxha gjeti golin e parë me ekipin, teksa pas afro një viti e gjysmë Broja ia del të shënojë për Kombëtaren.
NDESHJA - Në minutat e para të sfidës ka qenë ekipi ynë që ka dominuar lojën, para se një gabim në prapavijë të nxirrte Al Tamari përballë Dajsinanit. Gardiani kuqezi bëri më të mirën duke e ndalur. Më pas Asani, Daku apo edhe Bajrami nuk u treguan të saktë para portës kundërshtare, paçka rasteve. Në minutën e 27-të stadiumi heshti, kur në zhvillimet e një këndoreje Al Rashadan shënoi me kokë për miqtë. Pas vetëm 13 minutave, Shqipëria barazoi me autogolin e Abualnadi. Një driblim dhe pasim i bukur i Nedim Bajramit bëri që mbrojtësi i Jordanisë të shënonte në portën e tij, për rezultatin 1-1 të pjesës së parë.
Në fraksionin e dytë tanët ishin me tjetër marsh. Gjimshiti, Shehu dhe Asani i lanë vendin Ramadanit, Cakes dhe Gripshit, me këta të fundit që bënë debutimin si kuqezinj. Në minutën e 61 vend kishte edhe për Brojën, që mori vendin e Dakut.
Pas vetëm katër minutave në fushë, Broja përfitoi nga një pasim perfekt i Asllanit dhe i vetëm përballë portierit ia la sferën këtij të fundit mbi kokë, duke dalë vetëm me portën bosh, teksa nuk e pati të vështirë të shënonte golin e përmbysjes për 2-1. Ky ishte goli i dytë për Brojën në epokën Sylvinho dhe i gjashti për të në 31 ndeshje me Kombëtaren. Në 3 qershor 2024 ishte goli i fundit për Brojën me kuqezinjtë, në miqësoren me Lihtenshtajnin.
Pas dhjetë minutash, Arbër Hoxha me një 'silurë' nga afro 25 metra shtangu portierin për golin e tretë të tanëve dhe të parin për të me Kombëtaren. Në minutën e 78-të gjithë stadiumi u çua në këmbë, pasi në fushë u fut Elseid Hysaj. Mbrojtësi shkodran me 94 takime për Kombëtaren bëhet futbollisti që ka luajtur më shumë me fanellën kuqezi.
Vetëm një minutë më vonë, Broja asistoi për Bajramin që shënoi golin e katërt dhe të qetësisë. Në fund Olwan shkurtoi shifrat për 4-2, ndërsa ekipi ynë tregoi një lojë të mirë kundër një rivali që tanimë e ka siguruar pjesëmarrjen në finalet e Kupës së Botës 2026. Takimi i sotëm kundër Jordanisë ishte i dyti mes këtyre skuadrave. Ishte 10 tetori i 2018, pra diçka më shumë se shtatë vite më parë kur në 'Elbasan Arena' Shqipëria dhe Jordania barazonin 0-0.
Kombëtarja do rikthehet në aksion në muajin nëntor. Në 13 nëntor kuqezinjtë udhëtojnë drejt Andorrës për finalen e madhe që mund të na sigurojë një vend në play-off e Kupës së Botës 2026, ndërsa tre ditë më vonë presim në Tiranë, Anglinë, për ndeshjen e fundit kualifikuese të Grupit K në Kupën e Botës 2026.
Komentet më të rëndësishme të ndeshjes:
90+3' Mbyllet 4-2 ndeshja në 'Air Albania'.
90' Tre minuta shtesë.
90' GOOL! Jordania shkurton me Olwan.
79' GOOL! Nedim Bajrami shënon nga brenda zonës pas asistit të Brojës.
78' Elseid Hysaj futet në fushë dhe Asllani i jep shiritin e kapitenit. Hysaj luan ndeshjen numër 94 me Kombëtaren, duke u bërë futbollisti me më shumë ndeshje për Kombëtaren.
75' GOOL! Arbër Hoxha shënon golin e parë me fanellën kuqezi. Pas driblimit, goditja e Hoxhës nga 25 metra mori një trajektore që nuk mund të ndalej.
65' GOOL! Pasim fantastik i Asllanit dhe Broja nga pranë porte ia ngre topin mbi kokë portierit, duke e dërguar më pas në rrjetë. Ky është goli i dytë për Brojën në epokën Sylvinho dhe i gjashti për të në 31 ndeshje me Kombëtaren. Në 3 qershor 2024 ishte goli i fundit për Brojën me kuqezinjtë, në miqësoren me Lihtenshtajnin.
62' Broja kontrollon bukur dhe pason për Hoxhën, ky i fundit nuk driblon si duhet.
62' Dajsinani sërish në pozicion.
61' Armando Broja merr vendin e Mirlind Dakut. Ovacione për Brojën nga tifozët.
58' Nazmi Gripshi dëmtohet, stafi mjekësor i jep ndihmën e parë.
46' Fillon pjesa e dytë. Gjimshiti, Shehu dhe Asani mbeten në dhomat e zhveshjes. Në vend të tyre Cake, Ramadani dhe Gripshi. Cake dhe Gripshi debutojnë me Kombëtaren. Asllani merr shiritin e kapitenit.
45+2' Mbyllet 1-1 pjesa e parë.
45+2' Alnaimat shumë i shpejtë në zonë, ndalet nga Dajsinani.
45' Dy minuta shtesë.
40' GOOL! Nedim Bajrami bën gjithçka mirë dhe pasimi i tij u devijua në portën e tij nga Abualnadi. 1-1 në Tiranë.
27' GOOL! Një krosim nga këndorja bën që Al Rashdan me kokë të shënojë gol për Jordaninë, në momentin tonë më të mirë.
25' Shqipëria dominon ndeshjen me raste dhe kontroll loje.
24' Asani tenton nga jashtë zone, sfera përfundon në tribunë.
21' Asani pason bukur te Daku, me goditjen e këtij të fundit që pritet nga portieri. Në kthimin e topit, Nedim Bajrami e dërgon sferën jashtë.
18' Al-Tamari del i vetëm përballë Dajsinanit pas një gabimi në mbrojtjen tonë, portieri kuqezi bën një pritje fantastike.
16' Jasir Asani provon nga jashtë zone, ndal portieri mik.
10' Daku merr një pasim në zonë. Topi është shumë i fortë dhe përfundoon në duart e portierit Abulaila.
6' Rreziku i parë i miqve. Al Rashdan provon me një gjuajtje nga jashtë zone, e cila shkon jashtë.
2' Al-Hourani dhe Daku përplasen kokë më kokë, ndihmë mjekësore për të dy. Gjendja e tyre është e mirë.
1' Nis në Tiranë ndeshja mes Shqipërisë dhe Jordanisë me topin e parë shkelmuar nga miqtë.
Formacioni zyrtar:
Shqipëria (4-3-3): Dajsinani; Balliu, Gjimshiti, Mihaj, Mitaj; Asllani, Shehu, N. Bajrami; Hoxha, Asani, Daku Trajner: Sylvinho
Jordania (4-4-2): Abulaila, Abualnadi, Abu Hasheesh, Al Hourani, Al Naimat, Al Quraishi, Al Rashdan, Ibrahin Sa'deh, Nasib, Oluan, Tamari Trajner: Jamal Sellami\
Trajneri i Kombëtares, Sylvinho, foli për Supersport pas ndeshjes miqësore të fituar 4-2 me përmbysje kundër Jordanisë. Ai u shpreh i lumtur për lojtarët dhe ekipin.
"Kemi parë gjëra interesante për skuadrën. Jam i lumtur edhe për rezultatin, edhe për mënyrën se si është prezantuar skuadra. Jam shumë i kënaqur edhe me debutimet si Dajsinani, Gripshi dhe Cake.
Dilema për zgjedhjet e lojtarëve? Kjo është një dhimbje e mirë koke për trajnerin. Çdo fundjavë vëzhdojmë nga 10 lojtarë, të cilët mund t’i marrim në Kombëtare. Hoxha po luan mirë me skuadrën e tij. Para 10 ditësh pati një lëndim të vogël. E telefonuam për ta pyetur dhe nuk ishte problematike. Sot bëri një paraqitje shumë të mirë. Ai po rritet shumë si lojtar në muajt e fundit. Doja ta përmendja. Një ndeshje është një mundësi që një lojtar të duket. Mihaj ka bërë një rrugëtim prej dy vitesh për ne. Lojtar i sigurtë dhe inteligjent. Ishte në Europian me ne. Ka shumë lojtarë të pozicionuar në qendrën e mbrojtjes, të cilët mund t’i zgjedhim.
Mehmeti? Duhet të jem shumë i kujdesshëm kur flas për një lojtar që nuk është me ne. Ne kemi 25 lojtarë. Ne shohim kundërshtarët dhe në bazë të karakteristikave të tyre zgjedhim lojtarët. E kam ndjekur Mehmetin. Kam marrë një avion dhe kam shkuar për ta vizituar në Angli. Ai është një lojtar që luan në të majtë. Vetëm në të majtë, jo në të djathtë. Por aty kemi një mbingarkesë. Kemi Hoxhën, Uzunin, Bajramin, Muçin, edhe Broja mund të luajë në të majtë”, tha Sylvinho.
Portieri Mario Dajsinani, tregoi paraqitje të shkëlqyer ndaj Jordanisë, me pritje vendimtare. Pas ndeshjes, ai foli për Tv Klan, ku zbuloi se si e ndali sulmuesin e Jordanisë në fillim, pas gafës së Balliut.
“Ndihem shumë mirë. Kur trajneri më tha se do të luaja, në fillim kisha pak emocione. Jam shumë i lumtur që luajtur sot. Shpresoj të kem bërë një paraqitje të mirë. Jam i lumtur për fitoren sigurisht. Portieri gjithmonë duhet të presë deri në momentin e fundit dhe ashtu bëra te rasti i parë. Fatmirësisht ia dola ta prisja”, u shpreh Dajsinani.
Mesfushori Kristjan Asllani, u shfaq shumë i lumtur pas fitores 4-2 ndaj Jordanisë.
“Jemi të lumtur pas ndeshjes me Serbinë. Ishim të lodhur, sepse shpenzuam shumë. Jemi të lumtur, sepse sot bëmë kojë të mirë, sepse shënuan edhe sulmuesit. Të vazhdojmë kështu.
Vertikalizimet i kam shumë qejf. Para ndeshjes flas shumë me sulmuesit, që t’iu pasoj menjëherë pasi ta marr topin. Jam i lumtur që asistova te Broja.
Unë ndihem mirë me të gjithë. Shehu na ka ndihmuar shumë, në të dyja fazat. Jemi të lumtur që e kemi. Është lojtar me kualitet.
Trajneri e jep formacionin para ndeshjes dhe vendos ai. Unë kam shumë qejf të luaj, sidomos me Kombëtaren“, u shpreh Asllani për TV Klan.

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me fitoren e Kombëtares Shqiptare të Futbollit në miqësoren ndaj Jordanisë, me shifrat 4:2 në ‘Air Albania’.
Shkruan se edhe pse ishte një ndeshje miqësore, Kombëtarja e Shqipërisë të gëzon.
“Miqësore miqësore, po kjo Shqipëri të gëzon”, shkruan Rama.
Po ashtu kryeministri ka postuar edhe 4 golat e shënuar nga 'kuqezinjtë'.

Pas golit dhe asistit me Kombëtaren, për mediet foli Armando Broja.
“Mami dhe e dashura, këto kam telefonuar të parat pas fitores me Serbinë”, u shpreh Broja me sinqeritet. “Nuk është se kam ndonjë ritual si lojtarët e tjerë. Para ndeshjeve thjesht dëgjoj muzikë, përqendrohem dhe përgatitem në mënyrën time.
Kam parë ëndrra të bukura me Botëror. Kemi filluar me këmbën e djathtë dhe me përqendrim të plotë. Tani çdo ndeshje është si një hap drejt asaj ëndrre që duam të gjithë", tha Broja.
Pas fitores 4-2 në miqësoren kundër Jordanisë, për mediet foli Elseid Hysaj. Mbrojtësi vendosi rekord me fanellën e Shqipërisë, pasi me 94 ndeshje bëhet futbollisti me më shumë performanca në Kombëtare. Ai la pas Lorik Canën që ka 93 ndeshje të luajtura.
"Është momenti më i bukur i jetës sime. Jam shumë i lumtur për golat, sepse donim ta fitonim këtë ndeshje. Nuk donim të humbnim, sepse do të ngjante pak keq. Po më vjen momenti edhe mua për të qenë veteran. Është gjithmonë bukur të luash në Kombëtare. Ndjenja është e njëjtë, si fëmijë, si tani. Nuk mund ta vendos unë se sa ndeshje do të luaj. Mund të ndodhin gjëra gjatë rrugës. Kur ta shoh se nuk do të mund të jap më për Kombëtaren do të hap rrugën. Por është ende herët", tha Hysaj.
Formacionet, Shqipëri - Jordani
Sot në orën 19:00 luhet miqësorja mes Shqipërisë dhe Jordanisë në 'Air Albania'. Pas fitores 0-1 në Serbi, trajneri Sylvinho ka bërë shtatë ndryshime për sfidën e sotme, duke iu dhënë shansin disa futbollistëve që nuk kanë marrë minuta.
Nga sfida e fituar tre ditë më parë kundër Serbisë, sërish nga minuta e parë luajnë Gjimshiti, Mitaj, Asllani dhe Shehu.
Formacionet zyrtare:
Shqipëria (4-3-3): Dajsinani; Balliu, Gjimshiti, Mihaj, Mitaj; Asllani, Shehu, N. Bajrami; Hoxha, Asani, Daku Trajner: Sylvinho
Jordania (4-4-2): Abulaila, Abualnadi, Abu Hasheesh, Al Hourani, Al Naimat, Al Quraishi, Al Rashdan, Ibrahin Sa'deh, Nasib, Oluan, Tamari Trajner: Jamal Sellami
Në orën 19:00 Shqipëria dhe Jordania do luajnë testin e dytë miqësor mes tyre në histori. Gjithçka në 'Air Albania' duket gati, ndërsa janë publikuar edhe pamje nga brenda dhomës së zhveshjes së Kombëtares. Ekipi ynë rikthehet te uniforma e kuqe dhe e zezë, teksa për t'u theksuar se Jordania e ka siguruar kualifikimin në Kupën e Botës 2026.

Sot në orën 19:00 në "Air Albania" luhet sfida miqësore mes Shqipërisë dhe Jordanisë. Në stadiumin e kryeqytetit pritet që të ketë rreth 10 mijë tifozë, me interesin e tifozëve që është shtuar për këtë miqësore, pas fitores 0-1 të kuqezinjve kundër Serbisë tre ditë më parë.
Komente











Kjo ndeshje jep ringritjen dhe shperthimin futbollistik te madh te Brojes
Përgjigju