AUSTRALI - George Russell i Mercedesit mori pozicionin e parë për Çmimin e Madh të Australisë, garën që hap nesër Kampionatin Botëror të Formula 1 për vitin 2026. Mercedesi i dytë, i drejtuar nga Andrea Kimi Antonelli, do të niset gjithashtu nga rreshti i parë. Antonelli pësoi një përplasje me muret anësore të pistës gjatë provave të treta duke shkatërruar njëvendëshen e tij, por mekanikët e Mercedes ia dolën të riparonin makinën dhe në fund italiani 19-vjeçar u pozicionua i dyti.

Red Bull i Hadjar dhe Ferrari i Leclerc janë në rreshtin e dytë. Hamilton është i shtati. Oscar Piastri me McLaren, i cili dominoi dje provat e lira ia doli të pozicionohet në vendin e pestë para shokut të skuadrës dhe kampionit në fuqi, Lando Norris.

Kthesa e parë dramatike e ngjarjeve gjatë këtyre kualifikueseve për Çmimin e Madh të Australisë i ndodhi Verstappenit. Max doli nga rruga gjatë Q1 dhe përplasi Red Bullin e tij në barriera. Holandezi më pas u kthye në bokse me një skuter, shansi i tij për pozicionin e parë tashmë kishte kaluar.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:42
VIDEO/ Mrekullia e Mercedesit me Kimi Antonellin, italiani shkatërroi makinën në pistë! Mekanikët e dërguan në vendin e dytë

1772873082_andreakimiantonelli.jpeg

Një mrekulli inxhinierike dhe sportive mund të konsiderohet fundjava e Andrea Kimi Antonellit në Melbourne, me pilotin e Mercedes që i mbylli i dyti kualifikueset e GP së Australisë.

Gjatë provave të treta të lira, 19-vjeçari nga Bologna e përplasi njëvendëshen e tij me barrierat anësore të pistës, duke e lënë thuajse të shkatërruar. Vetëm saktësia dhe shpejtësia e mekanikëve të Mercedes bëri që ai të mund të rikthehej në pistë me një makinë në gjendjen e duhur dhe të merrte vendin e dytë pas shokut të skuadrës, Russell. Vërtet një mrekulli nga ekipi i Mercedes.