Shiu i madh ka shkaktuar përmbytje të mëdha në Miami përpara se Formula 1 të kthehet në qytet për Çmimin e Madh të SHBA në 7 maj. Moti i keq ditët e fundit në Florida ka përmbytur mjaft zona, përfshi edhe ato të Miamit, pikërisht aty ku pas një muaji do të zhvillohet gara.
Qarkullimi në këtë zonë është bërë i pamundur, teksa shumë rrugë janë mbyllur për të evituar probleme. Disa nga rrugët e mbyllura në zonën e stadiumit të famshëm janë ato ku do të kalojnë makinat e garës apo pranë pistës, ndaj situata nuk duket aspak e mirë.
Sipas mediave lokale, situata duket problematike pasi u bënë disa ditë radhazi që shiu bie me intensitet. Kjo ka penguar inxhinierët dhe punonjësit që të nisin përgatitjet e parashikuara për të bërë gati pistën qytetase. Një emergjencë që vjen më pak se një muaj para garës, ndërkohë që ka ende shumë punë për të bërë.