Audi ka bërë prezantimin e tij më madhështor në Formula 1, duke zyrtarizuar në Berlin modelin R26, makinën me të cilën do të garojë në Kampionatin Botëror 2026. Me këtë event, prodhuesi gjerman mbyll zyrtarisht transformimin e gjatë nga Sauber në markën ikonike me katër unaza.

Prezantimi u zhvillua në kryeqytetin gjerman përmes një shfaqjeje të sofistikuar multimediale, duke krijuar atmosferë të nivelit të lartë dhe pritshmëri të mëdha. R26 u shfaq në skenë si premierë botërore, vetëm disa javw para fillimit të sezonit të ri, i cili nis më 8 mars 2026 në 'Albert Park' të Melburnit.

Stili i prezantimit ishte në linjë me atw të Red Bull dhe Racing Bulls, të cilët javën e kaluar në Detroit prezantuan makinat e tyre, duke nderuar partneritetin e ri me Ford. Audi ndoqi të njëjtën linjë estetike të rafinuar.

R26 mori vëmendjen me dizajnin e ri, ku ngjyra tradicionale gri nw tw argjendtë u zëvendësua nga kombinimi agresiv i të kuqes, zezës dhe logove të mëdha me katër unaza përgjatë kapakut të motorit dhe pjesës së pasme.

Dizajni nuk është larg nga pamja që Sauber ka përdorur dy vitet e fundit gjatë tranzicionit drejt identitetit Audi, por tani paraqitet i plotësuar dhe i konsoliduar. Në prezantim u paraqitën edhe pilotët zyrtarë të ekipit për sezonin 2026, Nico Hulkenberg dhe Gabriel Bortoleto.