Në Shqipëri, teksa zien debati nëse reforma në drejtësi ka dështuar apo jo, ajo që vihet re me sy të lirë është fakti se ka shpërthyer një absurditet në maksimum, në lidhje me qasjen ndaj punës së SPAK dhe gjykatave të posaçme si dhe nismave që kanë nisur të ndërmerren nga gjyqësori për përmirësimin e drejtësisë së re.

Ndërsa, ashtu sikurse pritej, qëndrime kontradiktore e me dy standarde kanë dalë në sipërfaqe dhe në lidhje me qëndrimin më të fundit të mazhorancës socialiste, që ka të bëjë me refuzimin e dhënies së autorizimit për SPAK, për arrestimin e ish numrit dy të qeverisë dhe ish ministres së Infrastrukturës e Energjetikës, Belinda Balluku!

Në qendër të këtij absurdi qëndrimesh, të cilat ndryshojnë me orë e minuta, gjendet PD dhe opozita shqiptare në tërësi, e kryesuar nga Berisha, e cila në mungesë të një orientimi të qartë për mënyrën se si duhet bërë drejtësi në këtë vend, mungesë orientimi i qëllimshëm pasi Berisha është njeriu më i qartë në këtë dynja në raport me drejtësinë, në mëngjes sulmon e kërcënon me ‘libër shtëpie’ prokurorët dhe gjyqtarët e posaçëm, ndërsa në drekë del para mediave e mbështet SPAK-un në punën e tij, pasdite proteston kundër qeverisë se përse nuk lejon SPAK-un të bëjë punën e vet me Ballukun dhe arrestimin e saj!

Një PD e tërë, e vënë në shërbim të Berishës dhe familjes së tij, plotëson tekat e një plaku që ka marrë më qafë të gjithë opozitën, vetëm e vetëm se familjarisht, jo vetëm që është non grata në SHBA dhe Britani të Madhe, por është dhe nën hetim nga drejtësia shqiptare, madje i marrë si i pandehur, për dosjet e rënda të korrupsionit, krimit shtetëror dhe verifikimit të pasurisë!

Opozita është kundër SPAK në momentin kur Berisha paraqitet para oficerit gjyqësor konform masës së sigurisë për të shënuar emrin e për të thënë se është në territorin shqiptar! Në dalje, kreu demokrat atë bën ritualin e përditshëm, duke sulmuar dhe marrë nëpër gojë me tërë arsenalin e akuzave, fyerjeve dhe kërcënimeve, prokurorët e gjyqtarët e posaçëm që kanë në dorë çështje e tij dhe familjarëve të tij! Pastaj, në mesditë akuzon Ramën se ka marrë peng shtetin dhe SPAK-un, duke bërë thirrje në drejtim të organizmave ndërkombëtarë që të ndërhyjnë për të lënë të qetë drejtësinë e re që të bëjë punën e saj! Ndërsa në darkë, njëherë në 10 ditë si dhe çdo të hënë përmes foltoreve me 20 vetë në shesh, deklaron përmbysjen e madhe të ‘narkoshtetit’ sipas tij, të cilin e akuzon se po ushtron presion mbi drejtësinë për të shmangur hetimin dhe dënimin e ish ministrave! Një mish-mash i vërtetë ky i Berishës!

Ndërsa nisma e kreut të Gjykatës së Lartë për ndryshimin e pjesshëm të praktikës unifikuese të vitit 2011 mbi masat e sigurimit personal synon të rishikojë një nga standardet më të rëndësishme të praktikës penale shqiptare, e që ka të bëjë me mënyrën se si gjykatat vendosin dhe arsyetojnë masën më të rëndë të sigurimit, “arrestin në burg”. Që e kanë kthyer primare!

Në thelb, dokumenti propozon që Kolegjet e Bashkuara të rishqyrtojnë disa prej tezave kryesore të vendimit unifikues nr.7 të 2011-ës, që për më shumë se një dekadë ka shërbyer si udhërrëfyes për gjykatat në vendimmarrjen mbi kufizimin e lirisë personale. Pra, nisma synon të rishikojë standardin e vendosur nga vendimi unifikues dhe ta përshtasë atë me zhvillimet e reja ligjore dhe me standardet e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Qëllimi i kësaj nisme është që vendimmarrja për paraburgimin të bëhet më e kontrollueshme, më e individualizuar dhe më e përputhshme me parimin se kufizimi i lirisë personale duhet të mbetet një masë përjashtimore. Nëse Kolegjet e Bashkuara do të pranojnë këtë rishqyrtim, praktika gjyqësore shqiptare mund të kalojë drejt një standardi më të rreptë për përdorimin e “arrestit në burg”, duke kërkuar nga gjykatat një analizë më të thelluar të rrezikut e një vlerësim real të alternativave ndaj paraburgimit. Në këtë kuptim, nisma nuk synon thjesht ndryshimin e një vendimi të vjetër unifikues, por vendosjen e një qasjeje të re në interpretimin e masave të sigurimit personal, një qasje që vendos në qendër parimin e proporcionalitetit dhe mbrojtjen e lirisë personale.

Menjëherë pas daljes në publik të kësaj nisme të Gjykatës së Lartë, opozita dhe mbështetësit e saj nëpër panelet televizive, e goditën fort, duke e cilësuar si një përpjekje të mazhorancës dhe Edi Ramës për të mbajtur jashtë dyerve të burgut ministrat dhe zyrtarët e lartë të PS! Pavarësisht se deri ditën e martë, kur u publikua nisma nga kreu i Gjykatës së Lartë, ishte vetë lidershipi i opozitës që e kishte kritikuar pa fund qasjen e drejtësisë së re, për të marrë si masë sigurie në rastin e Ilir Metës apo dhe të vetë Sali Berishës, masën e arrestit, me burg apo arrest shtëpie!

Kanë ardhur kritika nga ndërkombëtarët për çështjen e masave të sigurimit, respektimin e kritereve dhe kushteve për vendosjen e një mase sigurimi, kanë ardhur reagime të forta edhe nga BE. Para disa javëve ishte edhe drejtori për të drejtat e njeriut në BE, që hodhi kritika të ashpra për paraburgimet në Shqipëri, ashtu siç hodhi kritika dhe për mënyrën sesi gjykatat vendosin mbi përcaktimin e kritereve apo afateve për të qëndruar në paraburgim, i cili nuk vlerësohet në mënyrë dinamike ashtu siç Gjykata e Strasburgut e ka vendosur!

Ndërsa pritet të miratohet një nismë e tillë, ajo që mund të themi është se shpresojmë që të marrë fund njëherë e mirë paraburgimi i shqiptarëve, vetëm mbi bazën e dyshimeve, për të gjetur më pas prova rrugës! ‘Përfitojnë’ në fakt nga kjo nismë edhe Berisha e Meta, por dhe kryebashkiaku i Tiranës Veliaj, ish ministri Beqaja, zyrtarë të tjerë e mbi të gjitha qytetarët shqiptarë, të cilët do të kenë shansin të hetohen në gjendje të lirë, si njerëz! Është kërkesë dhe e institucioneve ndërkombëtare për uljen e numrit të paraburgimeve! Tani, opozita del kundër! Pra, një absurd i vërtetë! Pavarësisht, se jo vetëm duhet mbështetur një nismë e tillë, por duhet bërë dhe ai i ‘bekuar’ ndryshim në ligj, për ta hequr gjyqësorin nga ‘kthetrat’ e SPAK, që të marrë fund njëherë e mirë përdorimi i gjyqtarëve si noterë të çfarëdo kërkese të prokurorëve!

Rasti më flagrant e një strategjie me dy standarde ka qënë debati që ka shpërthyer në lidhje me kërkesën e SPAK ndaj Kuvendit për të marrë autorizimin e arrestimit të Ballukut! E cila, pas largimit nga postet qeveritare, është thjeshtë e vetëm deputete! Mazhoranca miratoi raportin, i cili do të votohet ditën e enjte në Kuvend, duke mos dhënë aprovimin për kërkesën e SPAK për ta arrestuar ish zv.kryeministren! Nën argumentin se hetimi nuk pengohet nga deputetja Balluku, në gjendje lirie, e pa asnjë mundësi për të dalë jashtë vendit, për shkak të bllokimit të pasaportës!

Opozita dhe njerëzit afër saj, herë në daljet publike e herë nëpër panelet televizive, vunë nën akuzë Ramën se po mbron Ballukun nga drejtësia! Futën turli teorish konspirative, a thua se mazhoranca socialiste vendimin e saj për refuzimin e lejës për SPAK për arrestimin e Ballukut e kishte marrë në ndonjë ligj apo Kushtetutë të vendeve të Afrikës! Këtë mundësi, pra marrjen e këtij vendimi, e ka të fiksuar Kushtetuta e ligji shqiptar, për të mbrojtur pavarësinë e institucionit të Kuvendit! Pasi të ishte thjeshtë formalisht, e Kuvendi të ishte thjeshtë një noter për kërkesat e prokurorëve për arrestimin e deputetëve, atëherë pse do ta ‘rëndonin’ Kushtetutën me një nen të tillë. Nuk e vinin fare, dhe SPAK apo prokuroria më pas, kur të mos ketë më SPAK themi, do të kërkonin prangosjen e deputetit me vendimin e një gjyqtari si për të gjithë qytetarët e tjerë dhe t’i ‘plaste’ në paraburgim, pa lejen e Kuvendit!

Por PD dhe opozita, të udhëhequra nga Berisha e çon më tej absurdin, teksa ka paralajmëruar se do të djegë apo shembë ditën e enjte Kuvendin, duke protestuar kundër Ramës që s’po ‘lëshon’ Ballukun! Për më tepër që, duke marrë dhe ‘statusin’ e prokurorit dhe të gjyqtarit të posaçëm, përfaqësues të lidershipit të opozitës, ‘ndihmojnë’ Berishën për të dhënë pretencën dhe vendimin e me sa vite burg duhen për deputeten! Madje, duke akuzuar Edi Ramën, se shpëtimin e ish zv.kryeministrës nga arrestimi, ai e bën thjeshtë e vetëm për të shpëtuar veten, veprime këto që sipas opozitës shqiptare po pengojnë  integrimin e Shqipërisë në BE. Megjithëse të martën ka qënë vetë presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen ajo që deklaroi që vendet e Ballkanit Perëndimore duhet të anëtarësohen menjëherë në BE, që tani sipas saj, për arsye sigurie! Ishte një lajm që kaloi si pa u vënë re për shkak të ‘temperaturave’ të larta politike!

Dhe akuzat e Berishës dhe opozitës, deri në kërcënimet pë djegien e Parlamentit dhe të vendit, në mesin e një situate lufte në Ukrainë e Lindjen e Mesme, vijnë me një argument tjetër, sa të çuditshëm aq dhe kontradiktor! Pavarësisht se Rama ka qënë gjithnjë nën akuzë nga Berisha, opozita dhe mbështetësit e tyre se është lideri i vetëm shqiptar që nuk i mbron bashkëpuntorët e vet,  tani që mbajti këtë qëndrim për Ballukun mbështetur në të drejtën kushtetuese për çdo deputet të Kuvendit të Shqipërisë, ai prap po kryqëzohet! Tashmë si mbrojtës!

Për hir të së vërtetës, Berisha ka qënë vetë ai që kur ishte në pushtet ka mbajtur zyrtarë të lartë në punë dhe në arrest shtëpiak, të cilët firmosnin nga shtëpia! Paçka se akuzoheshin për krime të rënda deri dhe zhdukje njerëzish! Sjellja e opozitës dhe lidershipit të saj, në të gjitha herët, është e pastabilizuar e me dy standarde! Duke na kujtuar atë sindromin e kahershëm të saj në sjelljen politike, ‘hip se të vrave, zbrit se të vrava’!

Të shohim si do të zhvillohen ngjarjet këtë të enjte, në ditën e protestës, sipas PD, ‘kundër padrejtësisë’! Do të shembet Parlamenti apo jo?! Aq më tepër që, nga njerëz, të cilët me 750 shkelma kanë marrë azil politik diku në Evropi, janë lëshuar thirrje për të qëndruar fort përballë Kuvendit, deri dhe në vetëflijim, në mbështetje të Berishës! I cili po shihet nga ky kontigjent në ‘diasporën’ e re dhe një grusht demokratësh, gjithnjë e në zvogëlim, si e ardhmja e PD dhe opozitës shqiptare, dhe pse është në moshën 82 vjeçare! Të shohim dhe këtë ritualin e të enjtes!