Kryeministri Edi Rama tha në Forumin e Investimeve BE–Ballkani Perëndimor se ekonomia shqiptare është trefishuar në 12 vjet, nga 10 në 30 miliardë euro, dhe se synimi është që ajo të dyfishohet sërish deri në vitin 2040. Ai tha gjithashtu se buxheti i shtetit arrin për herë të parë në 10 miliardë euro.
“Pas 12 vitesh, a nuk ka ardhur koha të mos shihemi më vetëm përmes lentes së zgjerimit? Jemi një destinacion i ri për investime, jemi një kënd i rritjes së Europës. Shqipëria ishte një ekonomi prej 10 miliardë eurosh, sot është 30 miliardë euro. Ambicia jonë është që deri në vitin 2040 ta dyfishojmë sërish.
Me atë që AI-ja mund t’i shtojë potencialit tonë, kjo është më shumë se e mundur. Gjendemi në pikëtakimin mes Adriatikut dhe Jonit, përballë Italisë. Jemi një portë hyrëse për Ballkanin Perëndimor, jemi aleatë në NATO dhe jemi në rrugën drejt BE-së.
Energjia jonë elektrike vjen pothuajse tërësisht nga burime të ripërtëritshme. Shihni Brukselin. Këtë vit, përparimi ynë u vlerësua dhe u pranua në çdo front. Kjo do të thotë institucione më të forta dhe një historik solid për këdo që do të vërë bast për të ardhmen e Shqipërisë.
Më lini ta them pa hyrë në detaje. Shqipëria do të marrë më shumë mbështetje nga Plani i ri i Rritjes, sepse kemi bërë detyrat tona të shtëpisë dhe e kemi merituar notën. Për herë të parë, buxheti arrin në 10 miliardë euro.
Në vitin 2000, kur u bëra kryebashkiak i Tiranës, kishim një bulevard të rrethuar nga një qytet i humbur në mes të Europës. Sot kemi një kryeqytet europian në një vend me të njëjtat probleme që ka Europa kudo. Më besoni, ky është përparim.
S’po kërkojmë më një akt besimi. Po kërkojmë të shihni bilancin. Europa është në një moment vendimtar. Transformimi i ekonomisë, energjisë dhe kapacitetit të saj industrial do të kërkojë horizonte, kapacitete dhe partnerë të rinj.”
Lajmi në përditësim....

Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, u bëri thirrje sipërmarrësve në Forumin e Investimeve BE–Ballkani Perëndimor të investojnë në rajon. Ajo tha se mundësitë ekonomike pritet të shtohen dhe se vendet kandidate do të përfitojnë që përpara anëtarësimit në BE.
“Zgjidhni Ballkanin Perëndimor për investimet tuaja. Për herë të parë që nga anëtarësimi i Kroacisë, BE-ja po përgatitet të mirëpresë anëtarë të rinj dhe dy vendet më të avancuara në këtë proces janë nga Ballkani Perëndimor. Ne do të zgjerohemi deri në vitin 2030. Mali i Zi është pranë përfundimit të negociatave. Shqipëria mund të ndjekë të njëjtën rrugë. Viti 2027 mund të jetë viti i Shqipërisë, nëse qeveria vijon të qëndrojë në rrugën e duhur me reformat.
Një ekonomi mund të lulëzojë vetëm kur ka siguri juridike. Ajo u jep sipërmarrësve besimin për të marrë vendime afatgjata. Kemi parë vazhdimisht se kapitali privat është orientuar drejt këtyre vendeve dhe se standardet e jetesës janë rritur.
Vështirë se ka pasur një moment më të mirë se ky. Mundësitë ekonomike pritet të shtohen. Ne po modernizojmë mënyrën se si vendet kandidate mund të anëtarësohen. Përfitimet do të vijnë edhe përpara anëtarësimit.
“Ballkani Perëndimor do të jetë pjesë e BE-së, por shumë prej mundësive ekzistojnë tashmë këtu dhe do të shtohen me zgjerimin e qasjes në tregun unik dhe me më shumë fonde nga BE-ja. Thirrja ime për të gjithë ju është t’i shfrytëzoni këto mundësi", tha Kos.











Komente
Komento