TIRANE-Presidenti i Republikës, Ilir Meta inicioi sot nismën “U’ jam Arbëresh” me mbajtjen e takimit të parë të këtij forumi. Kreu i shtetit u shpreh se ka ardhur koha që të bëjmë shumë më tepër për arbëreshët tanë. Për Ilir Metën ky forum ka disa objektiva, ku ndër më parësoret janë nxitja, ruajtja, dhe zhvillimi i gjuhës së folur dhe asaj letrare arbëreshe e po kështu, edhe mësimi i saj në shkolla

"Bashkësia arbëreshe mbetet sot ruajtësja e vetme e gjuhës që Skënderbeu dhe bashkëluftëtarët e tij folën gjashtë shekuj më parë. Ky është një thesar i madh për kombin tonë, por edhe për Italinë dhe për trashëgiminë europiane dhe botërore.

Kanosja reale e zhdukjes së kësaj gjuhe do të ishte një humbje e madhe jo vetëm për arbëreshët, të cilët e ruajtën atë me fanatizëm dhe dashuri për gjashtë shekuj, por edhe për Shqipërinë, Italinë dhe për gjithë trashëgiminë dhe kulturën europiane e botërore. Ky forum ka disa objektiva, ku ndër më parësoret janë nxitja, ruajtja, dhe zhvillimi i gjuhës së folur dhe asaj letrare arbëreshe e po kështu, edhe mësimi i saj në shkolla" tha Meta.

Pjesë e forumit ishin Ministri i Diasporës Pandeli Majko, Kryetari i Bashkisë së Shën Mitrit Salvatore Lamirata, Padre Pietro Lanza i Kishës italo-arbëreshe, Konsulli i Nderit Aldo Marino, akademikë, historianë, albanologë dhe intelektualë, Moikom Zeqo, Aurel Plasari, Pëllumb Xhufi, Nasho Jorgaqi, Gjovalin Shkurtaj, etj.