Një foshnjë rreth 2 muajshe ndodhet në gjendje shumë të rëndë shëndetësore në pediatrinë e spitalit rajonal të Korçës, ndërsa mjekët po shqyrtojnë mundësinë e transportimit të saj drejt Tiranës për trajtim më të specializuar.

Sipas informacioneve paraprake, fëmija është dërguar në spital me probleme të rënda shëndetësore, ndërsa dyshohet se gjendja e tij mund të jetë përkeqësuar si pasojë e kequshqyerjes.

Foshnja ka lindur parakohe rreth dy muaj më parë, kur nëna ishte në muajin e shtatë të shtatzënisë. Nëna dhe bebi janë trajtuar fillimisht në spitalin e Korçës dhe më pas në Tiranë, nga ku raportohet se kishin dalë në gjendje të mirë shëndetësore.

Megjithatë, pas kthimit në shtëpi gjendja e bebes dyshohet se është përkeqësuar. Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se nëna nuk është kujdesur për ushqyerjen e foshnjës me gji, gjë që mund të ketë ndikuar në rëndimin e situatës.

Po ashtu, burimet bëjnë me dije se dyshohet që nëna të ketë probleme të shëndetit mendor, ndërsa hetimet pritet të sqarojnë nëse ajo ka shfaqur probleme pas lindjes së fëmijës.

Ndërkohë, burime nga spitali bëjnë të ditur se gjendja e foshnjës vijon të mbetet kritike. Nga ekzaminimet rezulton se parametrat jetësorë janë në kufijtë minimalë, ndërsa mjekët thonë se në momentin kur foshnja ka mbërritur në pediatri ka qenë në gjendje shumë të rënduar, me probleme të theksuara respiratore.

Një tjetër detaj shqetësues lidhet me peshën e tij. Foshnja peshon vetëm 1 kilogram, njësoj si në momentin kur ka lindur dy muaj më parë, çka sipas mjekëve tregon se nuk ka pasur zhvillim apo ushqyerje të shëndetshme gjatë kësaj periudhe.

Policia ndodhet në pediatrinë e spitalit ndërsa vijojnë verifikimet për të sqaruar rrethanat e plota të rastit.

Kequshqyerja mbetet dyshimi kryesor, megjithatë sipas burimeve nuk përjashtohen edhe faktorë të tjerë që lidhen me lindjen e parakohshme.

Lajmi në përditësim

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë