Fotini Tomai, përralla 
realiteti dhe “ura” e një miqësie 

Fotini Tomai, përralla <br />realiteti dhe “ura” e një miqësie 
Ndofta është hera e parë për mua që has përralla të tilla, me karakter didaktik rrezatues, plot kureshtje e fantazi, për të vegjlit e të mëdhenjtë njëherësh.

E mbështetur në pasurinë e paanë të mitologjisë greke, shkrimtarja Fotini Tomai Konstandopulo, autore e 38 librave, lëvruese e suksesshme e përrallës moderne, po edhe e novelës dhe romanit aktual, ka një këndvështrim të thellë dhe largpamës në “urëlidhjen” midis mitit dhe realitetit të sotshëm, midis fantazisë dhe jetës, midis abstraktes dhe konkretes.

Përrallat e saj nuk ngrihen mbi bëmat e mbretërve e dragonjve, nuk janë produkte të frikës, aventura gjithfarësh njerëzish e të superheronjve që bëjnë mrekullira, po “udhëtojnë” në historinë e besimin e një populli drejt së mirës...

Përkthimet e përrallave të saj në gjuhën e bukur shqipe nga shkrimtari, komediografi e publicisti Skënder Demolli, në nje gjuhë të pasur e komunikative me moshën e të vegjëlve, thjesht e bukur, krijojnë edhe atë afërsi të dy kulturave tona, aq të begata e të ngjajshme në legjenda e mite, të së njëjtës botë shpirtërore rajonale, farkëtuar nga shekujt e ekzistencës, të luftërave e të heronjve të përbashkët, të marrëdhënieve të mira të miqësisë e vëllazërisë.

Me FOTINI TOMAIN, si njeri, si grua dinjitoze, si shkrimtare dhe si punonjëse e shërbimit diplomatik dhe drejtuese e Arkivit Historik në Ministrinë e Jashtme të Greqisë, bëhesh menjëherë mik, për kulturën e saj intelektuale, për thjeshtësinë e vlerën letrare, si edhe për etikën shembullore dhe personalitetin që dëshmon pareshtur në veprimtarinë diplomatike e shkencore.

Dhe më tej: me një vlerësim e dashuri për shqiptarët e Shqipërinë. Ajo, nena e dy vajzave, jeton përditë e përherë në “udhët” e historisë, të mitit e të legjendës, pa u shkëputur nga e sotmja. Duke kuvenduar me të, me një kafe përpara, të shërbyer nga vet ajo, me lëvizje të hirshme të një gruaje moderne, të rishfaqen edhe figura të tjera femrash të famshme të kulturës Helene, si ajo e Merlina Mërkurit, aktores dhe ministres, me përshëndetjen e përzemërt nga akropoli i madhërishëm dhe e artistes së madhe botërore Irena Papas, që të dyja me gjakun arvanitas “gatuar” përbrenda vetes.

Kjo e fundit do të më rikthente 50 vjet më përpara, tek shihnim Penelopën e saj virtuoze në premierën e filmit të Francesko Rosit “Aventurat e Uliksit” në Shqipëri, kur përbri meje qe aktori i madh Bekim Fehmiu, protagonisti i veprës së Homerit, Odisea, i cili u ngrit e tha, pas mbarimit të filmit, me krenarin e tij karakteristike për origjinën, se “me Irena Papas, kam fol shkip sa jam shkep!”

Edhe personazhet e Fotini Tomait janë të frymëzuar nga ky thesar i njerëzimit: mitologjia! Artistë të tjerë shqiptar, të të gjitha kohërave, kanë gjetur në mitologjinë e legjendat greke, si edhe në veprat madhore të kolosëve te antikitetit te këtij vendi (me 300 ditë diell!), frymëzime të veçanta mbresëlënëse. Aktori ynë i madh (i skenës botërore), Aleksandër Moisiu, pasi kishte interpretuar figurat e perëndive te Oimpit, që nga Zeusi e deri te Prometheu, simbol i heroizmit njerëzor, u shfaq ne mishërimin skenik lapidar të figurës se Edipit Mbret nga tragjedia tronditëse e Sofokliut (ku do te luante edhe Kreonin), po edhe ne atë të Orestit ne veprën “Elektra” te këtij tragjiku të famshëm; interpretimi mahnitës i Kadri Roshit ne tigurën e fabulistit të famshëm të lashtësisë helene; interpretimi monumental e po kaq njerëzor i Hekubës, Mbretëreshës së Trojës (ne veprën tragjike të Euripidit), nga Margarita Xhepa, te cilën vet grekët e quajtën “Diva Shqiptare”; interpretim i rolit të Orestit ne skenën e Teatrit Kombtar te Greqisë ne Athinë nga aktori shqiptar Laert Vasili; venia përsëdyti herë në skenat shqiptare i tragjedisë “Elektra” të Sofokliut; interpretimi i figurës enigmatike të Medeas së Euripidit nga aktorja jone Ema Andrea; inskenimi “Festë e mërzitshme në Olimp”, sipas Kadaresë, kushtuar perëndive pagane te besimit te hershëm helen, nga regjisori ynë Gëzim Kame; interpretimi i veçantë nga aktori Mirush Kabashi i figurës së filozofit grek të lashtësisë, Sokratit, apo inskenimi i legjendës së përbashkët “Kush e solli Doruntinën” nga regjisorit grek Sotiris Hatxhaqis, ku do të shkëlqente përsëri figura e nënës prej aktores tonë të shquar dhe të tjera vepra skenike e letrare të paharruara, me frymëzimin e mesazhet e mëdha njerëzore që sjellin edhe sot e kësj dite.

Këtë aksentim human sjellin edhe përrallat me masazhe të rëndësishme bashkëkohore të Fotinisë, ku miti shihet si një mundësi shprehjeje e mirësisë, e dashurisë, e etikës, e edukimit të fantazisë fëminore, po edhe si një tërheqje vëmendje e prindërve ndaj tyre, për një rritje të shëndetshme. Mesazhet ndërlidhëse të qytetërimit të hershëm grek me qytetërimin e sotshëm Evropian, jepen me natyrësi, thjeshtësi, vërtetësi, përmes fantazisë e ngjyrave të thella të mitologjisë, p.sh, tek përralla “Rrëmbimi i Evropës”.

Mbreti Minoas i Kretës, i cili është një figurë reale, që ka ekzistuar mbi tremijë vjet para Krishtit, sipas mitologjisë, e kishte prejardhjen nga Zeusi dhe qe i biri i vajzës së tij me emërin Evropa, që ngriti në Knosos të Kretës qytetërimin Minoan. Shkrimtarja e shëtit Evropën mbi një dem në të gjitha viset e Evropës së sotme, e cila do të mbajë përherë emrin e saj, duke u rikthyer përsëri në Kretë, ku i biri, Mbreti Minoas, ngriti një pallat madhështor e një kryeqendër të kulturës, të artit, të filozofisë e të tregtisë botërore.

Më është dhënë rasti të vete në Kretë dhe të mos e lë pa parë këtë vepër të madhërishme të Mbretit real Minoas, që sot ngjan si një magji, krejt e pabesueshme, sidomos për arkitekturën monumentale, për pikturat murale të jashtëzakonshme, të cilat ruajnë edhe sot ngjyrat e forta, të kuqen e ndezur, blunë e thellë të detit e të kaltrën qiellore, për sallonet me kollonada solide, me amfiteatrin, me bodrumet e nëndheshme të demave, me thertoren e anekset e tjera të shërbimit e të ushqimit, ku mund ti shohësh edhe sot qypat e hershëm të ruajtura përmes rrebeshit të kohërave me kujdesin më të madh.

Po, ndonëse në këtë përrallë, elementi real mplekset me elementin mitologjik, në përrallën tjetër “E fshehta magjike e Mirtos”, elementi real gërshetohet me atë fantastik. Këtu rrëfehet se si, vajza e vogël Mirto, e yshtur nga kureshtja fëminore, zbret në bodrumin e shtëpisë, ku ruhen objekte e sende të vjetra të familjes, të cilat i zgjojnë aq shumë fantazinë, saqë i shfaqet rishtazi, të figurshme, nëna e gjyshja e saj, qe kanë ndërruar jetë, bisedon me ta vizualisht, gëzon e qesh, duke ndërtuar kështu një bote reale të saj.

Zbulimi i kësaj ngjarjeje nga prindi, një mjek i kujdesshëm, do të krijoj më pas një përkujdesje, që ka të bëjë me moscënimin e personalitetit të fëmijës e të botës që ndërton ajo pareshtur, me fantazinë e saj. Ato përbëjnë imazhe që flasin për bukurinë e shpirtit fëminor, para se ata, fëmijët, të arrijnë të kuptojnë realitetin e sotshëm të ndërlikuar, i cili, jo pak herë, ka defiçitet e veta në edukimin e gjithanshëm të tyre. Moderniteti i kësaj përralle, që arrin deri në kufijtë e novelës, krijon dimensione të gjëra e krejt të veçanta, origjinale, dhe e bëjnë shkrimtaren Fotini të flasë e të thotë shumë më tepër sesa përmbajnë kufijtë e përrallave të fëmijëve.

Është një vlerë e dukshme dhe e madhe, që këto katër përralla, janë të përkthyera në shqipen tonë të bukur, me po atë elegancë shprehjeje, me një gjuhë të kuptueshme, të thjeshtë e plotë ngjyrime leksikore. Duke ruajtur këtu edhe ilustrimet, tërheqëse, me dore të lirë, të Arkitektit, Piktorit e Skulptorit të Madh Grek DHIMITRIS TALAGANIS, ku fantazia e ngjyrave e te figurave, lëvizin pareshtur, kemi përpara, do të thoja,  katër modele të rralla te botimit të kulturuar, që do ta quaja edhe nder për autoren e piktorin e shquar, po edhe fat për ne të gjithë, që i marrim nëpër duar libra të tillë të mrekullueshëm.
 
Shënim: Kjo ese e kritikut të arteve Miho Gjini ëhstë lexuar në Ambasadën Shqiptare në Athinë pak javë më parë, me rastin e promovimit të përkthimeve të librave për fëmijë të autores greke në gjuhën shqipe, organizuar nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Greqi (Litter Art).

Redaksia Online
XH.K/shqiptarja.com 

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Mandati i Xhaçkës, më 27 gusht mblidhet jashtë sesionit Këshilli për Legjislacionin

Mandati i Xhaçkës, më 27 gusht mblidhet jashtë sesionit Këshilli për Legjislacionin