Dy ditë pas operacionit të policisë greke, e cila ndoqi dhe kapi një gomone me 1.6 ton drogë të nisur nga brigjet shqiptare si dhe arrestoi në total rreth 11 persona, disa prej të cilëve shqiptarë është mësuar dhe personi që financonte grupin. Ai është biznesmeni grek i arrestuar dje Spiros Kardamis, 63 vjeç. Mësohet se ai ka qenë pronar i një restoranti në Mykonos, por e ka shitur ndërsa kishte hapur edhe një restorant në zonën më të pasur të Athinës, Kolonaki.
63-vjeçari azkuzohet nga policia greke se ishte personi që investonte në blerjen e gomoneve. Gomonia e drogës e nisur nga Himara e cila u kap nga policia bashkë me skafistët ishte blerë 300 mijë euro. Pala Shqiptare veç emrave të shqiptarëve ka kërkuar informacion shtesë nga autoritet e policisë greke, por këto të fundit kanë refuzuar të ndajnë të dhënat e hetimit me policinë shqiptare.
Njëri nga shqiptarët mbeti i plagosur
Nga operacioni u arrestuan 10 persona, mes tyre 6 shqiptarë, ndërsa zbardhet identiteti i njërit prej tyre, i cili u plagos gjatë operacionit. Skafisti i plagosur është Alban Baxheri. I riu shqiptar pas 22 orësh ndjekje në det u arrestua së bashku me një tjetër shqiptar dhe një italian në skafin me 1.6 ton kanabis. Aktualisht ai ndodhet në spital, pasi u plagos nga autoritetet greke gjatë operacionit.
Pas shkëmbimit të informacionit me palën greke, autoritetet shqiptare kryen një kontroll në banesën e Alban Baxherit në Sarandë ditën e djeshme, por ende nuk jepen detaje. Tashmë jo vetëm për grekët, por edhe për palën shqiptare Alban Baxheri është një emër i njohur, pasi në muajin gusht u përfshi në një sherr me thika në Sarandë. Alban Baxheri u qëllua me thikë në 18 gusht në kraharor dhe për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore u nis drejt spitalit grek të Janinës për mjekim.
Dy nga skafistët janë nga Saranda dhe i treti është italian. Dy personat janë me precedentë penalë, ndërsa skafisti italian është 62 vjeç, i skeduar për trafik narkotikësh. Për rastin në fjalë është informuar edhe policia e Sarandës e cila ka kryer disa kontrolle banesash ditën e djeshme, por nuk ka gjetur lëndë narkotike apo të dyshuar.
(Spiros Kardamis, biznesmeni grek që dyshohet të jetë financuesi i grupit)
Sherri në Korfuz
Para 10 ditësh ka pasur një sherr mes këtij grupi kriminal në Korfuz i cili është kuptuar nga policia greke, por kur kanë shkuar në vendngjarje nuk i ka gjetur aty. I njëjti grup dyshohet se 1 vit me parë ka humbur një ngarkesë droge me vlerë rreth 100.000 euro e cila është kapur nga policia. Policia greke arriti të kapë gomonen me tre motorë dy ditë më parë, pas një operacioni 48 orësh ku u angazhuan në det të hapur forca të shumta policie, rojës bregdetare, FRONTEX me helikopter dhe mjete ujore. Gjatë ndjekjes ka pasur edhe shkëmbim zjarri mes policisë dhe trafikantëve.
(Spiros Kardamis, biznesmeni grek që dyshohet të jetë financuesi i grupit)
(Spiros Kardamis, biznesmeni grek që dyshohet të jetë financuesi i grupit)
J.Sh Shqiptarja.com

VIDEO










