Foto dëshmi, Durrësi, një
libër i madh, ende i pahapur 

Foto dëshmi, Durrësi, një<br />libër i madh, ende i pahapur 
Kjo është një foto vërtet e rrallë e Durrësit, dhuratë nga miku im Robert Elsie. Është bërë më 23 maj 1914 në kohën e Princ Vidit. Kulla që shihni ekziston edhe sot, por pa pjesën e sipërme, e cila është shembur gjatë dekadave dhe tani është kthyer në shesh për vizitorët.

Përveç historisë së lashtë, Durrësi ka edhe historinë e tij më të re, sepse ka qenë kryeqytet i shtetit shqiptar, që gjashtë Fuqitë e Mëdha (Austria, Italia, Gjermania, Anglia, Franca dhe Rusia) krijuan në Londër në vitin 1913.

Shtëpia e mbështetur pas murit të kalasë është saraji i Esat pashë Toptanit, ministër i Brendshëm dhe i Luftës në qeverinë e Princ Vidit (1914). Saraji kishte formë U-je dhe në foto duket vetëm një pjesë, ajo që shikon nga deti.

Sot shtëpia ekziston në formë të rindërtuar, por shumë më e vogël. Disa nga ministrat e Princit, duke përfshirë edhe kryeministrin Turhan Përmeti, banonin përkohësisht në shtëpinë e Esatit, meqenëse kur erdhën në Durrës nuk kishin ku të rrinin. Vetë Princi jetonte në ndërtesën e madhe të quajtur Konak, pranë Torres, aty ku sot është ngritur kompleksi Fly. Fatkeqësisht nga Konaku, ku është bërë shumë histori dhe sigurisht shumë intriga, nuk kemi asnjë gjurmë, madje as edhe një pllakë të vetme përkujtimore.

Kjo foto është bërë vetëm pak ditë pas ngjarjes që tronditi Durrësin dhe alarmoi disa nga kryeqytetet e Evropës. Natën e 18 majit 1914 duke gdhirë data 19, shtëpia e Esatit u godit me top me urdhër të Princit, i cili nën ndikimin e austriakëve, e akuzonte për tradhti. Italianët mendonin ndryshe. Njëra nga predhat ra në dhomën e gjumit, ku Esati po flinte me gruan, Shadijen. Në anën e djathtë të çatisë në foto duken pasojat e goditjes. Pas kësaj ngjarjeje, Esatin e arrestuan dhe e deportuan në Itali.

Njeriu mbi mur është majori holandez Sluys, i cili kishte patur një grindje me Esatin, gjë që e shkallëzoi situatën deri në krizën e deportimit.
Durrësi është një libër i madh dhe i rrallë i historisë shqiptare.

Durres

Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com
 

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit