Sot zhvillohet tryeza e dytë mes ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati dhe homologut të tij grek, Nikos Kotzias. Report TV ka siguruar ekskluzivisht fotografitë nga tryeza ku do të zhvillohen bisedimet intensive mes dy ministrave në Kretë, ndërsa ka mësuar se në përfundim të diskutimeve të ditës së sotme do të mbahet edhe një konferencë.

Përball gazetarëve ministri Bushati dhe Kotzias do të zbulojnë detajet e takimit dy ditorë dhe zgjidhjet që mund të jenë dakordësuar për problematikat e shtruara në agjendë. Vetë ministri Bushati më parë ka bërë të ditur se këto takime do të vijojnë edhe në muajt në vazhdim.

Ndërkohë, ditën e djeshme dy homologët kanë zhvilluar bisedime për 12 orë rresht. Temat kryesore të bisedimeve dy palëshe greko-shqiptare janë rishikimi i Marrëveshjes së Kufirit Detar e 2009, Ligji i Luftës, situata e minoritetit grek në Shqipëri, varrezat e ushtarëve grekë të vrarë në Shqipëri gjatë luftës italo-greke.

Çështja Çame është një pikë tjetër e rëndësishme e agjendës së bisedimeve midis Bushatit e Kotsias. Dy delegacionet janë akomoduar në një hotel në zonën lindore të qytetit Iraklio të Kretës, ku po zhvillohen bisedimet.

[gallery]24635[/gallery]

Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com