Siç mund të shihet nga disa imazhe satelitore, varrezat Bogorodskoye në Ryaza, 200 kilometra në jug të Moskës, kanë shtuar një parcelë të tërë nga tetori i vitit 2021 deri më sot. Kjo sepse lufta me Ukrainën  ka sjellë vdekje të shumta në dy vitet e fundit. Humbjet masive brenda ushtrisë ruse kanë sjellë zgjerimin e të paktën shtatëdhjetë varrezave në vend.

Ky investigim është kryer nga BBC Russian dhe grupi i pavarur editorial Mediazona. Një dosje e bazuar në muaj punë, duke përfituar nga kërkimet në terren, intervistat me familjet e viktimave dhe informacione me burim të hapur nga media, gazetat dhe rrjetet sociale online, e cila për herë të parë përcakton sasinë e viktimave ruse në konfliktin në Ukrain, pas shumë vlerësimeve dhe spekulimeve.

Sipas hetimeve të BBC dhe Mediazona, 50,471 mijë ushtarë rusë janë konfirmuar të vdekur. Kjo është tetë herë më shumë se buletini i fundit zyrtar nga Moska i dhënë në shtator 2022. Prej tyre, 27,300 janë zhdukur që në vitin e parë të luftës. Por numri i të vdekurve nga lufta mund të jetë edhe më i lartë, sepse kjo llogaritje nuk merr parasysh, për shembull, të vrarët në Ukrainën lindore, në provincat e pushtuara të Donetskut dhe Luganskut.

Ndërsa, në bazë të regjistrimeve të kompensimeve për familjet e ushtarëve të vrarë, numri i tyre është në mbi 85 mijë, sipas Mediazonas e cila thotë se ky duhet të jetë numri real.

Kjo media thotë gjithashtu se Rusia ka humbur shumë tanke, blinda dhe njësi artilerie javët e fundit, megjithëse viktimat nga këto humbje nuk përfshihen në raportin e fundit.

Sipas Mediazonës Rusia humbet rreth 1200 ushtarë në javë.

Sipas ushtrisë ukrainase, ushtria ruse ka pësuar 451730 viktima në luftë, përfshirë vdekjet dhe plagosjet, ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe inteligjenca britanike thonë se numri i viktimave ruse është 300 mijë.

Kievi ka pohuar se më shumë se 180 mijë ushtarakë rusë janë vrarë. Rusia rrallë njofton shifrat për viktimat. Sipas vlerësimit të fundit të Moskës, shtatë muaj pasi filloi lufta, numri i tyre ishte nën 6 mijë. Ukraina ka thënë se ka humbur 31 mijë ushtarë që nga fillimi i luftës.