Violinisti Shkëlzen Doli ka uruar të gjithë shqiptarët me rastin e festave të fundvitit. Ai ka postuar një foto në faqen e tij në Facebook nga një sallë koncertesh në Vjenë.
Artisti shprehet se koncerti në këtë sallë prestigjoze do jetë sfida më e vështirë e jetës së tij, duke shtuar se uron që koncerti të depërtojë thellë në zemrat e teleshikuesve.
Postimi i plotë i Shkëlzen Dolit:
Të nderuar miq dhe artdashës! Ju përshëndes nga ky ambient i bukur, nga ku për çdo vit depërtojnë tinguj magjepsës nga koncerti më prominent i muzikës klasike në mbarë botën - Koncerti i Vitit të Ri në Vjenë. Nga ky ambient impozant, ku për herë të parë në histori, muzika e kompozitorëve të njohur vjenez do të luhet pa publikun dhe pa duartrokitjet LIVE në sallë. Do të jetë me padyshim koncerti më i vështirë i jetës sime, ku nuk do të cirkulojë nga afër energjia dhe emocionet e publikut sëbashku me artistët!
Megjithatë, uroj që ky koncert të depërtojë thellë në zemrat e të gjithë teleshikuesve duke ndezur optimizëm dhe duke përçuar një ndjenjë shprese për të ardhmen, në një botë pa pandemi. Gëzuar 2021! I Juaji Shkëlzeni
Princi Leka ka zgjedhur që urimin e vitit të ri ta bëjë përmes një fotoje familjare me bashkëshorten dhe vajzën e tij. Ai thotë se këto festa ua dedikon të gjithë atyre që në këtë ditë nuk janë pranë familjeve të tyre por në shërbim të qytetarëve.
"Të dashur miq e dashamirës, ju urojmë nga zemra një Vit të Ri të mbarë! Paçi shëndet, harmoni dhe bekime në familjet tuaja! Qoftë 2021 viti ku të rigjejmë njëri tjetrin pa frikëra, dhe të festojmë me miq e të afërm për jetën, ta vlerësojmë dhe kurrë mos ta marrim të mirqënë! Zoti i bekoftë të gjithë mjekët që gjithë këto kohë të vështira kanë sakrifikuar në shërbim me humanizëm dhe përkushtim të pashoq! Këtë festë ja dedikojmë të gjithë atyre që sonte nuk mund të jenë pranë familjarëve dhe njerëzve të dashur! Paçi kurdoherë bekime" - shkruan Leka.