Tirane- Prokurorja e Prokurorisë së Tiranës, Ornela Rrumbullaku u shkarkua nga detyra sot nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Vendimi u mor nga trupa e KPK e kryesuar nga Pamela Qirko, me relatore Alma Faskajn dhe anëtare Xhensila Pinen.

Pas dhënies së vendimit prokurorja u largua në lot nga salla.

Gjatë seancës dëgjimore të së hënës, 2 shtator, Rrumbullaku dha shpjegime për bilancet negative në vlera të mëdha të konstatuara në burimin e krijimit të aksioneve të bashkëshortit në disa shoqëri private.

Ajo i kundërshtoi gjetjet e KPK-së, duke pretenduar se bashkëshorti nuk i kishte investuar ato para, por ishte dakordësuar me ortakët që të kontribuonte me konsulencë juridike.

Rrumbullaku u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës si dhe nuk u evidentuan probleme domethënëse në kriterin profesional.

Ornela Rrumbullaku përfundoi studimet e Magjistraturës në vitin 2006 dhe pas një periudhe stazhi në Prokurorinë e Tiranës, u emërua në Prokurorinë e Rrethit Kavajë. Në vitin 2019, Rrumbullaku u komandua si këshilltare pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Deri në momentin e shkarkimit nga detyra ajo e ushtron funksionin në Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë.

Foto: LSA