Fotografitë e fytyrës së përgjakur të Olena Kurilos janë bërë simbol i sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës dhe civilëve të saj. Ato ishin mbresëlënëse për artisten nga Los Anxhelosi, Zhenya Gershman dhe e shtynë atë të pikturonte portretin e zonjës Kurilo.
Për piktoren Zhenya Gershman, mbesa e poetit sovjetik Mikhail Matusovski, sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës ishte tronditës. Gjyshi i saj, i cili ishte transferuar në Kaliforni nga Moska shumë vite më parë, nuk do t'i kishte mbijetuar traumës, thotë ajo.
“Ai e donte kulturën dhe gjuhën ruse, por rrënjët i kishte në Ukrainë. Babai i tij, stërgjyshi im, ishte fotografi i parë në Luhansk. Kjo luftë do të ishte shumë e rëndë për të, ai do të pësonte infarkt në zemër.”
Zonja Gershman ka shpenzuar shumë vite në fushën e artit. Ngjarjet e fundit nuk e kanë ndalur punën e saj. Pasi ajo pa fotografinë e Olena Kurilos, filloi një projekt të ri.
"Këta sy më nxitën të bëja diçka", thotë ajo.
Pasi e mbaroi, ajo ia tregoi portretin mikut të saj, regjisorit Adrian Roup.
“Nuk mund të largoja vëmendjen nga portreti dhe i shkrova menjëherë, duke thënë se kjo mund të niste një lëvizje të re!”, thotë ai.
“Adriani më ndihmoi të kontaktoja shtëpinë më të madhe të ankandeve të artit në botë, “Heritage Auctions”. Ata kanë miliona pjesëmarrës aktivë dhe shpresojnë që në dy javët që do të zgjasë ankandi për këtë pikturë, ata do të mund të mbledhin miliona dollarë që do t’i jepen Kryqit të Kuq për të ndihmuar Ukrainën.”
Gershman është në kontakt me fotografin, që ka fotografuar zonjën Kurilo. Amerikani Wolfgang Schwan shkoi në Ukrainë për të dokumentuar gjithçka që po ndodhte atje. Në ditën e parë, ai fotografoi zonjën Kurilo.
“Rrugës vumë re një shtëllungë të madhe tymi që vinte nga drejtimi i Chuhuivit. Ne vendosëm të shkonim në atë zonë për të parë se çfarë ishte duke u djegur. Pasi arritëm tek dy ndërtesa banimi që po digjeshin, personi i parë që pamë ishte në fakt Olena”, thotë ai.
Fotografia u publikua në faqet e para të shumë gazetave në mbarë botën. Në Rusi fotografia quhej e rreme, dhe gruaja që figuronte në të ishte një aktore e lyer.
Olena Kurilo është një mësuese nga fshati Chuhuiv. Kur filluan bombardimet herët më 24 shkurt, ajo ndodhej brenda banesës së saj. Ajo thotë se është një mrekulli që është ende gjallë.
“Papritur, pati një zhurmë të fortë dhe xhami i copëtuar ra mbi mua. Fytyra më ishte gjakosur. Pasi dola nga ndërtesa, pashë tre gazetarë që po fotografonin. Nuk u kushtova vëmendje atyre”, thotë ajo.
Zonja Kurilo u befasua që fytyra e saj e gjakosur ((Marrë nga: Wolfgang Schwan)) u bë simboli i agresionit të Rusisë në Ukrainë.
Ajo gjithashtu u befasua kur mësoi se sa njerëz dëshironin ta ndihmonin atë.
“Ne po e ndihmojmë atë të gjejë një kirurg. Ajo nuk mund të shohë nga njëri sy. Ajo ka nevojë për një operacion urgjent, por nuk ka kirurgë që mund ta ndihmojnë në këtë kohë lufte. Ne i dërguam asaj ndihmë financiare. Ajo nuk ka ku të jetojë, nuk ka asgjë.”
Zonja Gershman vazhdon të pikturojë. Ajo bazon shumë nga portretet e saj tek fotografitë e fotoreporterit Wolfgang Schwan. Pasi të mbarojë lufta në Ukrainë, ajo shpreson të organizojë një ekspozitë së bashku me fotoreporterin Wolfgang Schwan./ VOA