Ministria e Jashtme e Shqipërisë ka pranuar pak ditë më parë se bleu një foto të takimit të kryeministrit Sali Berisha me homologun Britanik, David Cameron. Në përgjigje të një kërkese drejtuar nga deputetët e PS-së për skandalin e radhës, ministria e jashtme, përmes ministrit Edmond Panariti, pranoi faktin, duke dhënë edhe detaje se si ishte porositur dhe blerë foto e takimit mes dy kryeministrave. Ministri Panariti i referohet sqarimeve të dhëna nga i ngarkuari me punë në Britani të Madhe, duke sqaruar: "Gjatë vizitës së kryeministrit shqiptar në Londër, me rastin e hapjes së lojërave olimpike, (London 2012), u realizua edhe takimi ndërmjet tij dhe kryeministrit britanik, z.David Cameron.

Takimi u realizua pa praninë e mediave, apo dhe përfaqësuesve të ambasadës shqiptare në Londër. Ndërkohë pala britanike (Foreign Office Commonwelth) kishte njoftuar paraprakisht që të drejtën ekskluzive për dokumentimin e takimit (foto) i takonin kompanisë britanike Press Association, e cila ka edhe tagrin si autor i veprës fotografike të gëzojë të drejtën e shpërblimit për mënyrën e shfrytëzimit të veprës së tij fotografike. Në funksion të përmbushjes së detyrave të veta dhe informimit të publikut shqiptar, ambasada e republikës së Shqipërisë në Londër, duhej të pasqyronte takimin e kryeministrit shqiptar me kryeministrin Britanik. Ambasada e Shqipërisë në Londër, sipas informacionit të dhënë nga pala britanike, kontaktoi me kompaninë Press Association për të blerë foton e takimit...". Sipas ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Londër vlera e fotos ishte 55 stërlina ose 11.700 lekë, përfshirë taksat dhe ky shpenzim është paguar nga buxheti i përfaqësisë diplomatike…LEXO TE PLOTE SHKRIMIN
(Shkrimi u botua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)