Fotoreporteri i luftës rrëfen Shqipërinë e viteve 1981-’91: S'kishte makina dhe asgjë, dëgjoja vetëm kakarisjet e pulave!

Në 100 fotografi emblematike të shkrepura nga foto-reporteri i njohur francez Michel Setboun (Mishel Stebun) vjen dekada e fundit të periudhës së komunizmit dhe fillimit të demokracisë në Shqipëri. Foto-reporteri i luftës rrëfen për Shqipërinë e 1981-’91.

Ekspozita “Fundi. Fillimi Shqipëria 1981 – ‘91” e foto-reporterit të njohur francez Michel Setboun (Mishel Stebun) është çelur në Qendrën për Hapje dhe Dialog. Fotografi i luftës tregon kujtimet, që ruan nga vizitat e tij në Shqipëri.

Më para se të vija në Shqipëri kam dëgjuar librat e Ismail Kadaresë dhe Shqipëria ishte si vend romanesh. Natyrisht që më interesonte shumë. Në vitin 1981 kam ardhur për herë të parë në Shqipëri, nëse nuk jeni në moshë me mua, nuk e keni idenë se si ka qenë Shqipëria në atë kohë.

Në atë kohë kam qenë një fotograf lufte dhe Shqipërinë në atë kohë ishte një vend paqeje. Kur kam qëndruar tek Hotel Tirana, nga qetësia e madhe, dëgjoheshin edhe kakarisjet e pulave, nuk kishte as makina, asgjë. Ishte një planet tjetër.   

Michel Setboun (Mishel Stebun)

Nën hijen e bustit të diktatorit, paradave dhe parullave politike, si “Marshon Shqipëria socialiste”, gruaja mes shfrytëzimit në punët e rënda, fëmijët, nxënësit e shkollave dhe fasada e një lumturie “të porositur” dhe të vëzhguar pasqyrohet shtypja shoqërore e shqiptarëve në vitet ’80. Historiani i artit Zef Paci flet për rëndësinë, që kanë këto fotografi në dokumentimin e historisë së ngjarjeve, që ka kaluar vendi ynë.

Mendoj se është një ekspozitë e një autori të rëndësishëm, që sjell një fotografi, që është e ngjyer në një realitet. Edhe sot, duke parë këtë lloj fotografie, e cila është bërë në film, nuk është më digjitale vjen rreth 30 vite më pas dhe ne shohim një Shqipëri, e cila nuk ekziston më, disa shtresa dhe disa tipe njerëzisht, që nuk janë më të tillë  ose në një farë mënyre mund të jenë kamufluar. Në këtë drejtim merr një vlerë të jashtëzakonshme, sepse flet për një konstekt të caktuar social-historik, të tashmë nuk ekziston më.

Zef Paci

Ekspresiviteti i ekstrem i emocioneve, që i bën portretet të ngjashme në përjetimin dy ceremonive të ndryshme, të mortit dhe dasmës. Në këtë ekspozitë një moment kulminant i fotografisë, së fillimit të dekadës së demokracisë, është portreti i At Zef Pëllumbit i sapo liruar pas 3 dekadash burg. Frati është në krah të Shën Terezës, e cila ka ardhur për herë të parë në Shqipëri dhe të dy janë duke u lutur mbi rrënojat e një kishe. Artisti multimedial Shpend Bengu ka mbetur i befasuar nga fotografitë, që janë ekspozuar në COD.

Kjo është një rikuperim i të gjithë memories tonë të humbur, sidomos përsa i përket trashëgimisë tonë materiale. Kur e pashë ekspozitën ngela i befasuar, sepse m’u ringjallën në kujtesë të gjitha ato kujtime, ringjallet ajo memorie, që ditë pas dite në bazë të intensitetit të madh fillon edhe humb. Vjen ky artist i madh, që ringjallë ato kujtime edhe na bën akoma  të vetëdijshme nga vijmë edhe ku duhet të shkojmë.

Shpend Bengu

Për fotografin kjo ekspozitë është një kthim i domosdoshëm në kohë.

Kam parë shumë gjëra, si fundin, por edhe fillimin e dy epokave.  Ishte shumë e rëndësishme, që kjo ekspozitë të ndodhte këtu, sepse doja që të prodhoja një album për familjen, për kalimin e gjeneratave, që nuk janë më. Unë nuk doja që të tregoj diçka që të depresiononte, por doja që të tregoja shpresën edhe jetën. Edhe pse jeta ishte shumë e rëndësishme për njerëzit. Është shumë e rëndësishme, që brezi i ri sot të kuptojë nga vijmë. Harrojmë shumë shpejt.

Michel Setboun (Mishel Stebun)

Pas 24 viteve të ndalimit të fesë, shkatërrimit të institucioneve të saj Setboun ka qenë prezent për të fotografuar ringjalljen e besimit, deri tek meshën e parë në vitet ’90 në kishën ortodokse.

Rëndësi të veçantë për mua ka grupi i fotografive, që i përket rilindjes së feve dhe të sekteve të ndryshme në Shqipëri. Këtu jemi në seksionin e fesë ortodokse, këtu është mesha e parë në kishën ortodokse. Përkushtimi edhe devotshmëria e besimtarëve vihet re. Është një atmosferë ndryshe. Prifti në kishën e Beratit në meshën e parë, është pa mjekër edhe me gravatë, kjo nuk përputhet me kodin e veshjeve fetare sot.

Eleana Zhako, kuratore

Në fokusin e aparatit të tij janë përjetësuar momente historike, si zgjedhjet e para pluraliste në 1991, fushata elektorale e Sali Berishës. Nuk mungon as eksodi shqiptar me anijet e tejmbushura në portin e Durrësit dhe përballja e ashpër me kapitalizmin.

Pjesën më të madhe të arkivave fatkeqësisht ne shqiptarët nuk e dokumentojmë, arkivat tona më të rëndësishme i kanë të huajt, duke filluar që nga fillimi i shekullit XX dhe deri në vitet ’45. Ka pasur edhe arsyet e veta, por nuk falet pjesa e shkatërrimit të dokumenteve, pas 90 shumë arkiva u shkatërruan.

Shpend Bengu

 

Michel Setboun konsiderohet, si një ndër fotoreporterët më të rëndësishëm ndërkombëtarë, si dhe një nga dokumentuesit më të jashtëzakonshëm e këmbëngulës të historisë së Shqipërisë nga viti 1981 në vazhdim.

Ekspozita “Fundi-fillimi” 1981-1991, e artistit fitues të çmimit prestigjioz World Press Photo, Michel Setboun (Mishel Stebun) është kuruar nga Genti Gjikola dhe Eleana Zhako. Do të qëndroj hapur deri në 2 shtator.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë