Presidenti Donald Trump priti të martën me një ceremoni zyrtare në Shtëpinë e Bardhë, Presidentin francez Emmanuel Macron.
Të dy udhëheqësit folën për miqësinë shumëvjeçare mes të dy vendeve, duke theksuar çështjet madhore që i bashkojnë: demokracia, pluralizmi dhe kundërvënia ndaj politikave të rrezikshme nacionaliste.
Ata biseduan për një sërë çështjesh me të cilat përballen të dyja vendet, përfshirë luftën në Siri, programi bërthamor i Iranit dhe planet e Presidentit Trump për vendosjen e tarifave ndaj importeve të aluminit dhe çelikut.
Konferencë e përbashkët shtypi
Duke komentuar lidhur me tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga marrëveshja bërthamore me Iranin, Presidenti Donald Trump deklaroi të martën se në se iranianët “e rifillojnë programin e tyre bërthamor, ata kanë për të patur probleme më të mëdha se sa kanë patur ndonjëherë më parë.”
Zoti Trump e bëri këtë paralajmërim, në krah të Presidentit francez Emmanuel Macron në Zyrën Ovale, ku të dy udhëheqësit e vendeve aleate diskutuan për marrëveshjen shumëpalëshe, luftën në Siri dhe çështje tregtare, gjatë një dite me takime në Shtëpinë e Bardhë.
Duke folur në një konferencë të përbashkët shtypi të martën, Trump u duk se ishte më në favor të qëndrimit të Presidentit francez për një prani më të gjatë amerikane në Siri.
Trump, i cili njoftoi dy javë më parë se do t’i tërhiqte trupat amerikane, nga Siria, tha se Macron ja kishte forcuar idenë për mundësinë e marrjes nën kontroll nga Irani në një territori të çliruar nga grupi Shteti Islamik.
“Ne do t’i kthejmë trupat tona, por duam të lemë në rajon një gjurmë të thellë dhe afatgjatë,”– tha Trump.
Presidenti Macron i tha zotit Trump se SHBA dhe Franca do të mundin terrorizmin, do t’i pakësojnë armët e shkatërrimit në masë në Korenë e Veriut dhe në Iran dhe do të veprojnë së bashku në interes të planetit, një referencë për përpjekjet e tij për rigjallërimin e rolit amerikan në marrëveshjen e Parisit për Klimën.
I pyetur nga gazetarët për marrëveshjen bërthamore me Iranin, Trump tha: “Njerëzit i dinë pikëpamjet e mija për marrëveshjen me Iranin…Është qesharake, nuk duhej bërë kurrë ajo marrëveshje.”
Një nga objektivat kryesore të zotit Macron gjatë vizitës së tij 3-ditore në Uashington, është që ta bindë zotin Trump të mos tërhiqet nga marrëveshja, e cila synon kufizimin e ndërtimit të armëve bërthamore nga Irani. Duke qenë skeptik për efikasitetin e marrëveshjes, Trump ka thënë se do të tërhiqet prej saj brenda afatit të 12 majit.
Zoti Macron u tha gazetarëve se Trump do ta shqyrtonte marrëveshjen “në një kontekst më të gjerë rajonal”, duke patur parasysh situatën në Siri.
Trump sugjeroi se ishte i hapur “për të bërë diçka për marrëveshjen me Iranin, përsa kohë që do të merren masa të forta. Të paktën ne mund të arrijmë një marrëveshje me njeri-tjetrin,” – thai ai. Por kur gazetarët e pyetën lidhur me formën që do të ketë marrëveshja e re, ai iu përgjigj “keni për ta parë”.
Në konferencën e shtypit, zoti Macron shtoi se kishte diskutuar me zotin Trump për “një marrëveshje të re” me Iranin, bazuar tek shqetësimet më të gjera të rajonit, përfshirë Sirinë. Por nuk ishte e qartë në se Trump synon ta ruajë ndërkohë marrëveshjen aktuale, të njohur si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit.
Zyrtarët ushtarakë amerikanë dhe të zbulimit i kanë bërë thirrje zotit Trumë të mos tërhiqet nga marrëveshja, me argumentin se ajo solli pezullimin e programit bërthamor nga Irani.
Presidenti Trump e informoi zotin Macron se udhëheqësi koreanoverior Kim Jong Un donte të takohej me të “sa më shpejt që të jetë e mundur”. Zoti Trump, që e pati quajtur me tallje zotin Kim “burri i vogël i raketave” tha se diktatori koreanoverior, deri tani kishte qenë “shumë i hapur dhe i respektueshëm”.
Presidenti Trump refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve për politikën e brendshme. I pyetur në se po shqyrtonte mundësinë për ta falur avokatin e tij personal Michael Cohen, të cilit FBI-ja i zhvilloi kontrolle në zyrë dhe në shtëpi, Trump e quajti “një pyetje e trashë”.
Vlerësime dypalëshe
Gjatë pritjes në Shtëpinë e Bardhë të presidentit francez, zyrtari i parë i huaj që zhvillon një vizitë shtetërore gjatë administratës së tij, të dy udhëheqësit i bënë vlerësime të shumta njëri tjetrit, madje dhe u puthën e u përqafuan. “E kam për nder të të quaj mikun tim”- tha Trump, pasi parashikoi që Macron do të mbetej një udhëheqës historik i Francës.
Në mbrëmje në Uashington do të ketë një darkë shtetëtore, ku do të marrin një numër i madh të ftuarish. Darka do të pasohet me një shfaqje të Operas Kombëtare të Uashingtonit.
Vizita tre-ditore do të verë në provë marrëdhëniet e mira personale të presidentit francez me Presidentin amerikan Donald Trump.