Siç ajo bën të ditur, që prej orës 15:30 të ditës së dielë, kur është hapur rubrika e re e të shumëkërkuarve në faqen e internetit të Policisë së Shtetit, vizitorët janë rritur ndjeshëm. Deri sot në orën 15:30 numri i klikimeve në këtë rubrikë kishte arritur në 4 631 763.
Vetëm gjatë 8 orëve të fundit ka pasur rreth 25 mijë vizita në këtë rubrikë në të cilën qytetarët mund të gjejnë informacionet e duhura për personat më të rrezikshëm të shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit. Po ashtu qytetarët mund të gjejnë numrat dhe mënyrat e kontaktit me policinë për të dhënë informacionet e nëvojshme për kapjen e këtyre personave në kërkim.
Gjithsej janë hedhur të dhëna për 742 persona të shpallur në kërkim, të dënuar me vendim gjykate mbi 5 vjet burgim. Për mbi 50% të tyre janë publikuar dhe fotografitë. Ndër të kërkuarit 23 janë femra. Për sa i përket masës së dënimit: 47 prej tyre janë dënuar me burgim të përjetshëm, 101 prej tyre janë të dënuar me 25 vjet burgim.
Për çdo informacion me vlerë si në drejtim të kapjes së personave të kërkuar, ashtu dhe për të informuar mbi shqetësimet lidhur me sigurinë publike, apo për të kërkuar ndihmën e policisë në rast nevoje, qytetarët mund të kontaktojnë me shërbimet e policisë përmes numrit telefonik pa pagesë 129.
Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit ftojnë të gjithë qytetarët të informohen në faqen e internetit për personat në kërkim, por njëkohësisht edhe të bëhen pjesë e ndërtimit të një sistemi mbrojtës për veten dhe familjet e tyre, duke ndihmuar në kapjen e këtyre personave të cilët duhet jo vetëm të vuajnë dënimet e dhëna nga gjykata, por njëkohësisht të neutralizohen duke mënjanuar rrezikun që vjen prej aktivitetit të tyre kriminal. Policia e Shtetit garanton të gjithë qytetarët se do të ruhet anonimati për informacionet e dhëna prej tyre.
VEPRAT PENALE QË KANË KRYER 742 PERSONAT E SHPALLUR NË KËRKIM:
Për veprën penale te vrasjes, vrasjes së mbetur në tentativë 396 persona
Prodhim e shitje narkotikësh 47 persona
Trafikim i lëndëve narkotike 35 persona
Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, trafik klandestinësh 14 persona
Trafikim i femrave 12 persona
Shfrytëzim prostitucioni 49 persona
Vjedhje me pasojë vdekjen 9 persona, vjedhje me dhunë 15 persona, vjedhje me armë 44 persona
Për krime ndaj të miturve si marrëdhënie me dhunë, trafik fëmijësh 10 persona
Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)