Fotot ekskluzive të maskës së vdekjes
së aktorit Aleksandër Moisiu

Fotot ekskluzive të maskës së vdekjes<br />së aktorit Aleksandër Moisiu
Gjatë punës kërkimore për të zbuluar dokumente dhe foto që hedhin dritë mbi të panjohurat e jetës së bashkëatdhetarit tim, aktorit të madh  Aleksandër Moisiu në Vjenë, rastësia (këmbëngulja e madhe me shpërbleu) më nxori në gjurmë të disa objekteve krejt të veçanta, gjëra personale të aktorit. Menjeherë mendova se do të përballem me unazen e Ifflandit që po kërkoja prej kohësh, unazë që në qarqet teatrore përendimore është shumë e famëshme dhe shumë e dëshëruar nga të gjithë artistët e skenës, që gjeniut Moisi ja patën vendosur mbi sargun e vdekjes. Dija që disa nga këto objekte ishin të dhuruara nga familja e  Moisiut, por nuk dija me egzaktësi se çfarë do të kisha kënaqësinë të shikoja.

Nuk arrija ti rezistoja dot kuriozitetit dhe isha i paduruar deri në ditën e takimit që më kishte caktuar personi pergjegjës që kujdesej për këto objekte. Të enjte, datë 12 shtator, i përgatitur shpirtërisht për surpriza të këndëshme, i veshur (për këtë rast) me teshat më të mira që kam në garderoben time të thjeshtë, u gjenda në vendin e paracaktuar. Pas krahut shtërngoja aparatin fotografik me të cilin do të fiksoja pamjet e rradha, të cilat do të kisha privilegjin si i pari bashkëatdhetar i Moisiut (në kohën tonë), ti shikoja.
 
Gjatë rrugës për në arkivë po kaloja nëpër kokë qindra faqe gazetash e dokumentash që kisha patur në dorë, foto e kostume që kisha parë nga garderoba e tij,....po më silleshin në imagjinatën time rolet e luajtura aq mjeshtërisht nga Aleksandri. Unë shqiptari në Vjenë, krenohesha me të, në çdo ambient mbaja në gojë emrin dhe bëmat e tij e ndjehesha “i barabartë” ne mes të tjerëve, kisha genin e tij.

ALEKSANDER MOISIU
         
Është meritë e kulturës së kultivuar në çdo qelizë të shoqërisë austriake, ruajtja, restaurimi si dhe demostrimi i shumë objekteve historike, monumentale, artistike që na sjellin ndër kohë dhe situata historike shumë të njohura ose që na sjellin në kujtesë personazhe nga më të famëshmit që i kanë dhuruar botës vepra të pashlyeshme humane. Ndër to rreshtohet dhe inventari me objekte të të përbotshmit Aleksandër Moisiu.
 
Atë ditë...së bashku me bashkëshorten time hymë në një sallë pune  (pjesë e arkivës), mbi një tryezë të së cilës ishin dy objekte të mbështjedhuna me kujdes me letër mbrojtëse të veçantë. Punonjësja e muzeut zbuloi ngadalë një si fytyrë të bardhë në gips..... .......ishte maska e vdekjes e burrit të madh Aleksandër Moisi...
 
Kisha përjetuar në familje disa herë vdekjen dhe në këtë çast u ndjeva sikur më kishte ngjarë diçka e rëndëe. Ndjeva se po filloj të ngashërohem e të dridhem nga emocioni. Me ngjante sikur përpara meje shtrihej i vdekur trupi i gjeniut. Desha ti afrohem e ti puth duart, por... e ftohtë dhe e zbehtë… vetëm maska e tij, ... sikur na falenderonte që erdhëm ta vizitonim...
-Zotëri, me foli punonjësja e muzeut duke më treguar një kuti të vogël që e mbante ne dorë, kjo këtu është një relike e Moisiut. Kkëtu janë flokët e tij të vërtetë që e shoqja ja preu në shtratin e vdekjes për ta përjetësuar atë…

U përmenda nga gjendja ku ndodhesha nga surpriza e dytë mallëngjyese. Në një kuti te vogël ngjyrë ari, pas xhamit shihej një tubë me flokë të Sandrit. Flokët e gjatë ishin mbështjellur me kujdes në formë rrethi dhe një karficë e vogël i mbante ato të shtrënguara.
Natyrshëm më lindën shumë pyetje për t’i bërë punonjeses së muzeut. Ajo më informoi që, maska e vdekjes dhe kutia me floket e Moisiut, kishin ardhur në muze nga koleksioni i aktorit vjenez Albin Skoda, i cili kishte qenë nxënës i Aleksandrit, kurse zarfi me një tufë të vogël flokësh, ishte dhuruar nga familja e tij.
 
ALEKSANDER MOISIU

I bëra lutje zonjës së arkivit që të më lejonte të bëja një foto kujtim, pranë maskës së Moisiut, duke  mbajtur në duar kutinë me flokët e tij, këtë relike shumë të çmuar e domethënëse.
Për mua, sot me Moisiun, është hera e dytë që në Vjenë fiksoj në foto kujtime e emocione të paharueshme të këtij kalibri. Herën e parë, ishte kur mbajta në duar kokën (nga eshtrat) e patriotit e nismëtarit të pavarësisë të Shqipërisë, Imzot Nikollë Kaçorrit…, e tashti, objekte që i përkasin gjeniut të skenës, Aleksandër  Moisiut.
    
Sipas thënjeve të familjarëve e miqve të Moisiut, maska e tij u realizua, sikurse u morën edhe flokët, përpara se trupi i tij të digjej në krematoriumin e Vjenës. Më pas hiri i trupit, sipas dëshirës së tij, u dërgua në Morcote, një fshat afër Bissones (Lugano) për tu varrosur. Aty Moisiu zotëronte një vile, ku shpesh shkonte për pushime dhe ku më pas gruaja e tij Johanna Terëin jetoj deri sa vdiq. Në ditën e varrimit shtypi austriak (S.und M. Zeitung, dt. 14.4 1935) pasqyroj ngjarjen, ku në mes të tjerash lavdërohej akti i një prifti katolik shqiptar në exil në Vjenë ( mendohet të jetë Dom Lazer Shantoja), që nëpërmes një mikut të Moisiut, kishte dërguar në Morcote një grusht dheu  nga atdheu i tij Shqipëria, të cilin me pëlqimin e gruas së tij Johanna, ja hodhën në gropën e varrit duke shqiptuar fjalët: që ai (Mosiu) të pushojë perjetësisht në dheun e babait të tij… Dhe këtë dëshirë ja përmbushi gruaja e tij.

Shkrimi u publikua ne suplementin Rilindasi, 22 shtator 2013

(v.gj/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024