Nga të dhënat e mësuara dhe fotot ekskluzive të siguruara nga televizioni A1 Report, bëhet e ditur se në fshatin Pult, në ditën e dytë të aksionit është qëlluar jo vetëm helikopteri i Ministrisë së Mbrojtjes por edhe ai i policisë.
Madje helikopteri gjerman BO 105 i blerë me vlerën 1 milionë euro nga shteti shqiptar dhe për të cilin nuk është folur, është i goditur nga 7 plumba. Njëri ka goditur serbatorin, një tjetër tubin e vajit, dhe një plumb i tretë ka rrezikuar pilotin kryesor duke hyrë nga poshtë sediljes së pastme dhe kaluar përmes gabinës duke dalë në xhamin e përparmë vetëm pas centimetra larg kokës dhe thuajse ngjitur me veshin e pilotit.
Policia ka penguar çdo mundësi të filmimit të helikopterit nga grupi i xhirimit të A1 Report që ka qenë i vetmi që ka shkuar në vendin e rrëzimit, një zonë e deklaruar si e pasigurtë nga policia. Policia kishte deklaruar se vetëm një helikopter ishte dëmtuar nga të shtënat në ditën e dytë të operacionit, dhe është folur gjithnjë vetëm për helikopterin Cougar të Forcave të Armatosura.

(Në foto: Helikopteri i Ministrisë së Brendshme i qëlluar dhe i rrëzuar)

Burime të A1 Report thanë se helikopteri Cougar i Ministrisë së Mbrojtjes, me vlerë 12 milionë euro, është goditur vetëm nga një plumb në bisht dhe ka mundur të fluturojë në pistën e fluturimit të ish-repartit ushtarak Grudë e Re në Dukagjin ku pritet të ndërhyhet për defektin në bisht.
Nga ana tjetër, sipas kryefamiljarit Pashk Koçeku pilotët janë treguar mjeshtra dhe në uljen e helikopterit duke shmangur përplasjen e fëmijëve të tij që kureshtar kishin dalë jashtë për të parë helikopterin. Lidhur me këtë gjendje, autoritetet e rendit, i kanë kërkuar aleatëve të NATO-s që të ndihmojnë në transportimin e tij me mjetet e nevojshme.

(Në foto: Helikopteri i Ministrisë së Brendshme i qëlluar dhe i rrëzuar) Foto të tjera

(Në foto: Helikopteri i policisë i qëlluar dhe i rrëzuar nga trafikantët në Dukagjin)

Nexhi: Arrestohet i dyti për sulmet ndaj helikopterëve, asgjësohen 13 000 rrënjë kanabis sativa
Ndërkohë po sot Drejtori i Policisë së Shkodrës, Shaban Nexhi, në një deklaratë për mediat, njoftoi arrestimin e personit të dytë, i akuzuar për sulme me armë ndaj helikopterëve të përfshirë në operacion. Nexhi tha se në pranga ka rënë Fatmir Bushati, 25 vjeç, banues në Grudë e Re, të Shkodrës, i dyshuar si autori i organizimit dhe sulmit, ku u goditën me armë zjarri helikopteri i ushtrisë dhe i Policisë së Shtetit.
Ky është arrestimi i tretë në operacionin antikanabis në Shkodër. Dje u dorëzua tek autoritetet e rendit 19 vjeçari Pal Dushku, për sulmet me armë ndaj helikopterëve, ndërsa në pranga ka rënë edhe kryeplaku i fshatit Plan të komunës Pult, Gjon Bungu, 52 vjeç, i akuzuar për moskallëzim krimi dhe shpërdorim detyre.

(Në foto: Forcat e policisë gjatë aksionit të ditë së sotme) Foto të tjera

(Në foto: Forcat e policisë gjatë aksionit të ditë së sotme) Foto të tjera
Gjithashtu Nexhi bëri të ditur se gjatë operacionit të sotëm, janë asgjesuar deri më tani 13 000 rrënjë kanabis sativa, të identifikuara në zonën e Komunës Pult në fshatrat Bruçaj, Likaj dhe Xhan. Gjithashtu gjatë këtyre 6 ditëve të operacionit policor janë asgjesuar në zonën e Dukagjinit 99 960 rrënjë bimë narkotike kanabis sativa.
Sulmi me armë ndaj helikopterit të policisë, dorëzohet 19-vjeçari
Pasi kanë “mbaruar punë” në komunën e Pultit në zonën e Dukagjinit në Malësinë e Madhe, forcat e policisë ditën e sotme i drejtuar Komunës Temal, duke nisur kështu ditën e 6 të aksionit antikanabis. Operacioni u ndërpre gjatë ditës së djeshme për zhvendosjen e forcave të policisë, ndërsa me rifillimin e aksionit do të bëhet ndërhyrja në komunë Shosh.
Ndërkaq ditën e djeshme është vetëdorëzuar në Polici, një nga 10 personat e dyshuar se kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të helikopterit të policisë gjatë ditëve të para të aksionit Antikanabis në Dukagjin. Po kështu, u vetëdorëzua edhe kryeplaku i fshatit Pult, 52-vjeçari Gjon Bungu. Ky shtetas akuzohet për moszbatim të ligjit për të njoftuar organet e policisë për kultivimin e bimëve narkotike në fshatin e tij.
Gjatë 5 ditëve të aksionit në zonat e Shkodrës dhe Malësisë së Madhe, forcat e policisë kanë gjetur dhe asgjësuar 87 mijë rrënjë kanabis sativa. Gjatë ditës së sotme, në këtë operacion policor, i cili është shtrirë në fshatrin Sumë dhe në Lagjen Alavana të Fshatti Xhan, në Komunën Pult, jane angazhuar 144 forca policore operacionale të kontrollit të territorit dhe 20 automjete.
"Në mbështetje të forcave operacionale janë angazhuar me shërbim edhe dy grupe të specializuara të Forcave RENEA. Pavarësisht se fshati Sumë, ndodhet në të njëjtën Komunë me zonat e tjera të kontrolluara më parë në Komunën Pult, rruga për të shkuar në këtë zonë bëhet nga krahu tjetër i Qytetit të Shkodrës. Gjatë ditës së djeshme, pas një udhëtimi prej 7 orësh, forcat policore kanë lëvizur nga vendi i përkohshëm i dislokimit në zonën operacionale të fshatit Pog, për në Shkodër dhe më pas në zonën e fshatit Sumë, ku dhe janë dislokuar përkohësisht", thuhet në njoftimin e policisë.
Në këtë zonë, është ngritur edhe kampingu ku do të qëndrojnë uniformat blu që pritet të asgjësojnë mijëra rrënjë të tjera kanabis sativa. Siç kanë bërë të ditur burime zyrtare nga Policia e Shteti, në 5 ditët e para të këtij aksioni janë shoqëruar 29 persona, ndërsa një është ndaluar. Gjithashtu janë shpallur edhe 10 persona të tjerë të cilët janë pjesëtarët e “grupit të zjarrit”, që në ditën e dytë dhe të tretë të aksionit qëlluan me armë helikopterët.
Dita e 6 e aksionit antikanabis në Dukagjin
Strukturat e policisë të angazhuara për kontrollin e territorit të fshat Sumë, të Komunës Pult, deri në orën 11:00 kanë bërë të mundur identifikimin dhe asgjësimin e 2 200 rrënjë bimë të dyshuara cannabis sativa, të cilat ishin kultivuar në 6 parcela.
Oficerët e policisë gjyqësore dhe ekspertët kriminalist kanë kryer veprimet e nevojshme hetimore, ku kanë bërë të mundur gjetjen, fiksimin dhe marrjen e provave materiale, që do të dërgojnë në identifikimin e autorëve të krimit.
Aktualisht strukturat policore vijojnë kontrollin e territorit në zonat e këtij fshati dhe në vijim do të keni rezultatet të tjera.


(Në foto: Lënda narkotike e asgjesuar sot nga operacioni antikanabis në Dukagjin) Foto të tjera
Shkodër, vetëdorëzohet një nga autorët e sulmit me armë ndaj helikopterit
Tre ditë pasi u qëllua me armë helikopteri i policisë gjatë aksionit antikanabis në Dukagjin, është bërë i mundur arrestimi i njërit prej të dyshuarve si autorë të sulmit. Ditën e djeshme, është vetëdorëzuar në polici shtetasi Pal Dushku, 19 vjeç, banues në Fshatin Plan, Komuna Pult.
Sipas policisë, “dyshohet se gjatë operacionit për asgjësimin e bimëve narkotike ka kundërshtuar shërbimet e policisë, që po asgjësonin sipërfaqet e konstatuara të kultivuara me bimë narkotike në këtë zonë. Po ashtu nga hetimet e deritanishme ky shtetas dyshohet dhe si një nga autorët që kanë qëlluar me armë zjarri Helikopterin e Policisë. Materialet procedurale në ngarkim të këtij shtetasi i kanë kaluar për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë”.
Po kështu, ditën e djeshme u ndalua edhe kryeplaku i fshatit Pult, 52-vjeçari Gjon Bungu. Ky shtetas akuzohet për moszbatim të ligjit për të njoftuar organet e policisë për kultivimin e bimëve narkotike në fshatin e tij.
Ndërkaq, edhe materialet procedurale në ngarkim të këtij shtetasi i kanë kaluar për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë.
Policia e Shtetit bën me dije se do të vijojë deri në asgjësimin e plotë të sipërfaqeve të konstatuara të kultivuara me bimë narkotike.
Djegia e kanabisit
Në 5 ditët e aksionit policor janë identifikuar dhe asgjësuar 86.930 rrënjë kanabis sativa, të cilat ishin kultivuar në 175 parcela, 10.5 kg boçe bime kanabis sativa, 3 krëhëra me 74 fishekë. Gjatë hetimeve të bëra në terren janë shoqëruar për në Komisariatin e Policisë Shkodër 29 persona, për t'u pyetur lidhur me sqarimin e rrethanave të ngjarjes, ndërsa është ndaluar një person dhe janë shpallën në kërkim policor 10 të tjerë. Po ashtu janë kontrolluar edhe 9 banesa me qëllim kapjen e personave të kërkuar dhe gjetjen e gjurmëve, provave apo sendeve të ngjarjeve kriminale. Në të gjitha rastet, prerja dhe djegia e bimëve narkotike është bërë pasi oficerët e policisë gjyqësore dhe ekspertët kriminalist kanë përfunduar veprimet hetimore.

(Në foto: Lënda narkotike e asgjesuar sot nga policia në Dukagjin) Foto të tjera
Aksioni i policisë
Në pesë ditët e para të aksionit policor në Dukagjin, kanë marrë pjesë 294 forca policore të Drejtorisë së Shkodrës, të FNSH-së, forcat speciale RENEA, oficerë të policisë gjyqësore e ekspertë kriminalistë dhe mjekë të strukturave të policisë. Aksioni është drejtuar nga krerët e Policisë së Shtetit. Ndërkohë për realizimin e këtij operacioni janë përdorur 20 automjete policore, dy helikopter të ushtrisë, një helikopter i forcave RENEA, cadra kampingu, etj.
Operacioni policor është duke u zhvilluar në terrene malore tepër të thyera dhe shkëmbore, në lugina dhe përrenj të thella, në zona me bimësi të larta dhe të dendura, larg qendrave të banuara, të cilat rritën ndjeshëm shkallën e vështirësisë. Por me gjithë vështirësitë, si nga terreni apo dhe moti i paqëndrueshëm, ky operacion nuk është ndërprerë për asnjë moment, bën të ditur ditën e djeshme burime zyrtare nga Policia e Shtetit.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 26 Gusht 2014
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)
