Dy projektligje për Bujqësinë ‘Mbrotja e tokës’ dhe ‘Dëftesat tregtare’ të miratuara sot në Kuvend me votat e mazhorancës u kritikuan nga deputeti socialist Erion Braçe i cili iu dha karton të kuq. Ai argumentoi se toka bujqësore nuk mund të përdoret për aktivitete industriale, si ndërtim panelesh diellore apo fotovoltaikë. Brace kërkoi që veç mbështetjes me financime të fermerëve të goditet abuzimi me çmimet nga grumbulluesit.
***
Mazhoranca miratoi me 77 vota pro projektligjin për ‘Mbrojtjen e tokës Bujqësore”, i cili u jep mundësi investitorëve që 40% të sipërfaqes së tokës së marrë për prodhim bujqësor ta përdorin për instalim fotovoltaikësh apo eolikësh. Po ashtu u jepet mundësia të instalojnë bateri për depozitim të energjisë elektrike që prodhojnë.
Gjithashtu i hapet rruga edhe përdorimit të tre teknologjive në prodhimin bujqësor hidroponia (bimët rriten pa tokë, rrënjët qëndrojnë në ujë, ose tretësirë ushqyese), akuaponia (kombinon hidroponinë me rritjen e peshqve) dhe aeroponia ( rrënjët varen në ajër dhe spërkaten me një mjegull të imët që përmban ujë dhe lëndë ushqyese).
“Nuk mjafton vetëm të kultivojmë më shumë sipërfaqe. Sfida është të prodhojmë më shumë, më me pak burime duke përdorur teknologji që rrisin produktivitetin. Projektligji krijon një kuadër ligjor më të plotë për zhvillimin e teknologjive inovatore në bujqësi, duke i dhënë fermerëve edhe inovatorëve të siguri juridike dhe për të investuar për pa cenuar asnjë moment funksionin kryesor të tokës bujqësore që mbetet prodhimi bujqësor”, tha ministri i Bujqësisë, Andis Salla.
Kritik ndaj këtij projektligji deputeti socialist Erion Brace argumenton arsyet e votës kundër.
“Toka duhet për bujqësi, nuk duhet për aktivitete industriale siç është edhe prodhimi i energjisë elektrike. Po ka sipërfaqe të mjaftueshme në male atje ku është dhënë edhe licenca për parqet eolike ashtu siç ka po sipërfaqe sipër në male për të zhvilluar aktivitetin edhe të prodhimit të energjisë elektrike nga panelet fotovoltaike. Po në tokë bujqësore jo më”, tha Braçe.
Me 77 vota të socialistëve u miratua edhe projektligji “Për dëftesat tregtare mbi produktet bujqësore”, që synon lënien si kolateral të produktit bujqësor të ardhshëm ose të magazinuar për të siguruar financim, jo vetëm nga institucionet bankare, por edhe për të blerë farërat apo inputet bujqësore.
“Objektivi y i këtij ligji është i qartë, të nxisë financimin në bujqësi, të krijojë mekanizma që i mundësojnë fermerit të sigurojë mbështetje financiare”, tha Salla.
Por edhe kjo skemë e nisur me synim pozitiv, rrezikon të dështojë nëse më parë nuk goditet abuzimi me çmimet, thotë Braçe i cili votoi kundër.
“Rasti më i mirë është kur financuesi i prodhimit bëhet zotëruesi i inputeve bujqësore që është edhe grumbullues e kur për çmimin bie dakord mes tyre, por nëse nuk ka një çmim te mirë dhe formal, e gjitha dështon”, thotë Braçe.
Në Kuvend u miratua edhe projektligji "Për censin e bujqësisë”, që do të zhvillohet në tetor dhe do të kushtojë rreth 11 milionë euro. Përmes tij do të mblidhen të dhëna të detajuara mbi tokat, fermat dhe blegtorinë.
Komente









