Rexhep Selimi, së bashku me bashkëluftëtarët e tij në Hagë, po kërkojnë nga Gjykata që t’ua mundësojë lirimin me kusht. Në emër të tij, avokati David Young ka parashtruar një kërkesë në drejtim të gjyqtarit, Nicollas Guillou, e cila përmban 14 faqe dhe 51 pika gjithsej.
Aty artikulohen faktet se përse sipas mbrojtjes Selimi duhet të lirohet me kusht nga paraburgimi. Kësaj kërkese të mbrojtjes i është bashkuar edhe kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, i cili i ka dorëzuar një letër gjyqtarit të procedurës paraprake, në të cilën i ka kërkuar atij që ta marrë për bazë kërkesën për lirim të Selimit.
Mirëpo përveç Kurtit, letër në Gjykatën Speciale në lidhje me lirimin e Rexhep Selimit, kanë dorëzuar edhe dy persona të tjerë.
Shyqri Nimani, që vetën e ka prezantuar veten si artist dhe profesor universitar, në letrën e tij ka thënë se Rexhep Selimin e ka fqinj dhe e ka përshkruar atë si person me reputacion solid për veprën e tij atdhetare, raportojnë mediat vendase. Madje ai i ka treguar gjyqtarit francez se Rexhep Selimi “i bije mirë çiftelisë”.
Kjo letër i është bashkëngjitur kërkesës për lirim si aneks i veçantë me numër 3.
Përveç Nimanit, letër në Gjykatën Speciale ka dërguar edhe një tjetër person, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur. Ai thotë se Rexhep Selimin e njeh që 20 vite, dhe se herën e fundit që ishte takuar me të, i kishte treguar për talentin e veçantë që kishte zbuluar, pikturën.
Rexhep Selimi, gjendet në paraburgim në Hagë që prej 5 Nëntorit, ai së bashku me ish-luftëtarët akuzohet për Krime dhe lufte dhe krime kundër njerëzimit.