Më shumë se dy vite e gjysmë pasi kërkoi arrestimin në parlament dhe disa shtyrjeve, SPAK ka mbyllur më në fund hetimet për dosjen e ish zv. kryeministrit Arben Ahmetaj, nën akuzë për dosjen e inceneratorëve.
Ndaj ish numrit dy të qeverisë Rama 3, në arrati që prej verës 2023, rëndojnë akuzat e “ korrupsionit pasiv”, “pastrim të parave dhe “fshehje apo mos deklarim pasurie”.
Ai akuzohet si propozuesit i inceneratorëve në qeveri dhe lidhje të veçanta me sipërmarrësit e tyre Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, dhe këta të fundit po në arrati dhe të akuzuar se kanë korruptuar Ahmetajn dhe bashkë me të kanë pastruar paratë e paligjshme.
Transaksione financiare, pagesa fiktive, shitje-blerje pasurish të patundshme të bëra në mënyrë fiktive për të humbur gjurmët e pronësisë fillestare te ajo fundore, të gjitha të shtrira në vitet 2016-2020, janë faktet që SPAK mbështet thelbin e akuzave.
Mbyllja e hetimeve iu komunikua edhe bashkëjetueses aktuale të Ahmetajt, Erjola Hoxha dhe ish-bashkëshortes së tij Albina Mançka, të dyja të akuzuara për pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Të akuzuarit e tjerë janë Andi Boni, Helidon Begaj Geirjan Kuka, Sonila Meqemeja, dhe Elda Dinaj.
Kjo e fundit akuzohet se ka ndihmuar Ahmetajn të fshehë vilën Nr.74 në një kompleks luksoz në Palasë. Dinaj, një shtetase shqiptaro-zvicerane, shoqe e ish-bashkëshortes së tij, rezultonte pronare por në fakt SPAK dyshon se pronësia e vërtetë i përke ish zv. kryeministrit.
Andi Boni dhe Helidon Begaj akuzohen ndër të tjera si personat pjesëmarrës në skemën e shit-blerjeve fiktive të 2 apartamenteve në zonën e Selitës, që ka ndihmuar Ahmetajn të përfitojë shuma të konsiderueshme parash, vlera të paguara në mënyrë të tërthortë nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.
Biznesmeni Gerian Kuka, pronar i kompanisë AE Distribution, sipas SPAK është i përfshirë në përvetësimin e vilës në Hamallaj nga ana e zv. kryeministrit Ahjmetaj dhe bashkëshortes së tij, Erjola Hoxha.
Prokuroria vëren se përgjatë viteve 2019, 2020 dhe 2021, Hoxha merret me rinovimin e vilës dhe me mobilimin e saj, por vetëm në mars 2022, Kuka ia shet vilën Hoxhës për 220 mijë euro. Prokuroria thotë se sigurimi i pagesës për vilën ndoqi një seri transaksionesh të dyshimta, ku morën pjesë kompani dhe individë,
Edhe Sonila Goxha Meqemeja, e lidhur me biznesmenin Sokol Meqemeja, akuzohet nga SPAK se i ka dhënë Arben Ahmetajt, përmes skemave të shitjeve fiktive të apartamenteve, 140 mijë euro. Prokuroria e Posaçme evidenton se kjo shumë ka shkuar për ish zv. kryeministrin si shpërblim për inceneratorin e Fierit, të cilin Meqemeja e kishte marrë përmes kompanisë Building Counstriction & Green Energy, ku ishte një prej krijuesve të saj.
Dosja hetimore ndaj Ahmetaj doli si fraksion më vete për procedimin mëmë të inceneratorit të Elbasanit. Çështja u hetua nga tre prokurorët e posaçëm Altin Dumani, Enkeleda Millonai dhe Bledar Maksuti.
Arben Ahmetaj është shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme prej muajit korrik të vitit 2023, ndërkohë që organi akuzës ka vendosur në sekuestro disa prona në emër të tij dhe familjarëve të tij.
Ahmetaj ndërkohë po gjykohet në GJKKO në lidhje me veprën penale “shpërdorim detyre” për dosjen “Buka sha”.
Komente












