PARIS- Zonja e Parë e Francës, Valerie Trierweiler vazhdon të mbetet në spital, pas lajmit të revistës Closer, se presidenti francez, François Hollande kishte një lidhje sekrete me aktoren 41-vjeçare, Julie Gayet.
 
Patrice Biancone, shefe e stafit të Zonjës së Parë tha për mediat se Trierweiler do të qëndronte në spital për rreth 6-8 ditë për të marrë veten nga shoku i madh emocional.
 
Presidenti francez i cili nuk është marrtuar kurrë gjatë jetës së tij bashkëjeton me Trierweiler që prej vitit 2007. Ajo kryen funksionin e Zonjës së Parë duke jetuar në pallatin presidencial dhe duke udhëtuar jashtë vendit së bashku me Hollande, në vizita zyrtare.
 
Ndërkohë François Hollande pritet të mbajë një konferencë për shtyp ditën e martë ku do të prezantojë politika të reja për të ndihmuar ekonominë franceze, si dhe për të luftuar nivelin e lartë të papunësisë.
 
Por në fokusin e mediave do të jetë pikërisht jeta e tij private, pasi pritet një përgjigje zyrtare lidhur me takimet e tij sekrete me aktoren Gayet.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)