Franca Audisio Rangoni, Presidente e Shoqatës së Grave Sipërmarrëse dhe Drejtuese të Ndërmarrjeve në Itali, mbërriti në Shqipëri me dëshirën për të ngritur marrëdhënie bashkëpunimi me shoqatën homologe shqiptare. Presidentja Audisio ka konfirmuar në intervistën e saj për revistën ‘Monitor’ disponueshmërinë për të inkurajuar eksperienca ndërmjet sipërmarrjeve të të dy vendeve.
Znj.Audisio, kur është krijuar AIDDA dhe cili është qëllimi i saj?
AIDDA ka vepruar që nga themelimi i saj, në Torino në vitin 1961, për të nxjerrë në pah vetëdijen e vlerës etike dhe kulturore të nismës së lirë si dhe për të zhvilluar rolin ekonomik, social dhe politik të sipërmarrjes femërore, duke promovuar veprime për të inkurajuar dhe mbështetur një prani domethënëse të gruas në organet vendimmarrëse pranë pushtetit publik dhe atij privat.
Shoqata mëmë, franceze, lindi nga ideja e një sipërmarrëseje franceze, Yvonne Edmond Foinant, e cila drejtonte një ndërmarrje që prodhonte makineri për industrinë. Pasi ajo kuptoi kapacitetin e madh të grave në pune, ndjeu nevojën që gra si ajo të bashkoheshin dhe të kryenin role me përgjegjësi në ndërmarrje.
Me pas Shoqata u përhap në Belgjikë, Holandë dhe më pas në Itali.
Aktualisht, Shoqata është e pranishme në të gjitha Rajonet e Italisë dhe numëron rreth 1,000 anëtarë.
Qëllimi mbetet i njëjtë, por me disa ndryshime, sepse jeta dhe shoqëria e sotshme ka ndryshuar. Ndërsa disa vite me pare, pjesëmarrja në Shoqatë ishte më shumë një rast për t’u takuar e për të krijuar miqësi, gjatë viteve të fundit, vihet re gjithmonë e më shumë tendenca për të lidhur marrëdhënie biznesi.
Si e shikoni Shqipërinë, si një vend të mundshëm për të bërë biznes?
Kam mbërritur në Shqipëri në kuadër të vizitës së Ministres së Jashtme italiane, Ema Bonnino. Mesa shoh ka mundësi ku mund të zhvillohet biznes dhe mund të bëhen shkëmbime ndërmjet sipërmarrëseve italiane me ato shqiptare. Jemi njohur me problemet që kanë gratë sipërmarrëse në Shqipëri dhe ne jemi të bindura se ka hapësira ku mund të nxisim marrëdhënie përfitimi midis palëve.
Kryeministri Edi Rama ka emëruar gra drejtuese në poste kyçe. A mendoni se këto janë zgjedhje pozitive?
Në fakt më shumë unë jam një fanse e meritës sesa gjinisë. Është pozitive kur drejtuesja është femër, por me kusht që të plotësojë kritere profesionale të përshtatshme. Të kesh një Kryeministër që e inkurajon rolin femëror në nivele të larta është shumë e rëndësishme; gratë kanë shumë pikë në favorin e tyre kur kryejnë funksione me përgjegjësi pasi janë më të ndjeshme dhe kanë një mënyrë ndryshe nga burrat për të kuptuar dhe për të përballuar problemet.
Sa e vështirë është për një grua sipërmarrëse të menaxhojë edhe familjen?
Unë punoj prej shumë vitesh tashmë. Ka qenë gjithmonë e vështirë, edhe në Itali të lidhesh bashkë punë dhe familje; kohët shkurtohen, prandaj edhe çështjet dhe problematikat zgjidhen në një kohë më të shpejtë dhe efikase. Për këtë arsye ndihemi të stimuluara të japim maksimumin si në jetën private ashtu dhe në atë profesionale.
A keni ju si Shoqatë bashkëpunim me vendet e tjera të Ballkanit?
Kemi pasur marrëdhënie bashkëpunimi me Serbinë. Sipërmarrëset serbe kanë ardhur në Romë vitin e kaluar dhe kemi ngritur marrëdhënie të mira bashkëpunimi dypalësh. Së fundmi, patëm në Nish një takim shumë frutdhënës. Mendojmë të bëjmë të njëjtën gjë edhe në Shqipëri.
Shkrimi u publikua sot (27.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)