U zhvillua sot pasdite në ambientet e Komandës së Forcës Ajrore në Rinas ceremonia e mbërritjes së helikopterit të ri të Forcave Ajrore, “Cougar”. Dorëzimi i këtij helikopteri u bë në bazë të kontratës ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes dhe Kompanisë Franceze Eurocopter, “Mbi furnizimin e pesë Helikopterëve AS 532 AL COUGAR dhe paisjet që i shoqërojnë nënshkruar më 17 Dhjetor 2009.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, ambasadorja e Republikës së Francës në Shqipëri, znj. Christine Moro, komandanti i Forcës Ajrore, gjeneralbrigade Dhori Spirollari dhe personalitete të tjera të larta.

“Kam kënaqësinë e veçantë të jem i pranishëm dhe të përshëndes këtë ceremoni të thjeshtë që përkon me marrjen në dorëzim nga ana e Forcave tona të Armatosura dhe konkretisht nga ana e Komandës së Forcës Ajrore të helikopterit të dytë nga paketa prej 5 helikopterësh shumë funksionalë pjesë e programeve për modernizimin e Forcave të Armatosura.

Helikopteri i tipit Medevac është helikopter i tipit shumë funksional i cili do të përdoret kryesisht për transport të sëmurëve, por mund të përdoret në rast nevoje edhe për misione të tjera, ne SAR, transport trupash dhe materialesh. Falë këtyre dy helikopterëve të pajisur me fjalën e fundit të teknologjisë të kryejmë operacione ditën dhe natën, pavarësisht kushteve meteorologjike, në misione të vështira, në operacione luftarake, si dhe në mbështetje të Forcave Tokësore, Detare dhe Komandave Mbështetëse.

Kjo do të realizohet për faktin se këta Helikopter modernë kanë të përfshirë sistemet e navigimit satelitor, instrumente tërësisht dixhital dhe në të njëjtën kohë ata garantojnë siguri maksimale për pilotët dhe personelin falë pajisjes së tyre me dy motorë.”, tha Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi.

“Cougar” është helikopteri dytë i një seti prej pesë të tillë që i bashkohet Republikës së Shqipërisë.

(v.gj/shqiptarja.com)